Dy aeroplanë rusë i afrohen shumë një aeroplani amerikan, pati rrezik për përplasje

1 muaj më parë

Dy aeroplanë rusë i afrohen shumë një aeroplani amerikan, pati rrezik për përplasje

Forcat detare të Shteteve të Bashkuara kanë njoftuar se dy aeroplanë luftarakë rusë të tipit “Su-35” kanë fluturuar në mënyrë të pasigurt dhe joprofesionale duke e penguar një aeroplan patrullues amerikan të tipit “P-8A” në hapësirën e ujërave ndërkombëtare në Detin Mesdhe.

Flota e Gjashtë e Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara njoftoi se incidenti që ndodhi të hënën zgjati rreth 65 minuta. Gjatë kësaj kohe, pilotët rusë i afruan aeroplanët afër dy krahëve të aeroplanit amerikan dhe ia kufizuan hapësirën e lëvizjes.

“Veprimet e panevojshme të pilotëve të aeroplanëve rusë, Su-35, ishin në shpërputhje me pilotimin e mirë dhe rregullat ndërkombëtare të fluturimit si dhe e cenuan sigurinë e aeroplanëve”, thuhet në deklaratën e flotës me bazë në Napoli të Italisë.

“Veprimet si këto e rrisin rrezikun për përplasje në ajër”, thuhet më tej në deklaratë, shkruan “Free Europe”, transmeton Express.

Kjo ishte hera e tretë brenda dy muajve që pilotët rusë i afrohen në mënyrë të pasigurt një aeroplani amerikan në ujërat ndërkombëtare në Mesdhe.

Forcat amerikane thanë se në të gjitha rastet, aeroplanët amerikanë kanë qenë duke operuar në hapësirë ajrore ndërkombëtare, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke e vlerësuar sigurinë e fluturimeve dhe nuk i kanë provokuar aktivitetet ruse.