Dumoshi: Synimi im është finalizimi i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit

1 muaj më parë

Dumoshi: Synimi im është finalizimi i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim Këshillin e ri Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, i cili është në përbërje të Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Lejla Pula, Agim Selimi dhe Zethane Bahtiri-Gimolli, përfaqësuese e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi i informoi Këshillin për punën dhe planet që MKRS-ja po bën për kulturën, në këtë kontekst edhe për avancimin e dokumenteve ligjore e strategjike për Baletin Kombëtar të Kosovës.

Një ndër sfidat e cila ka pasur vonesa dhe nuk ka arritur të konkretizohet ende është objekti i Teatrit të Operës dhe Baletit, për të cilin ministrja tha se është e interesuar që të finalizohet si proces dhe ky projekt të marrë jetë.

Dumoshi tha se “kemi shumë artistë të talentuar dhe është mëkat që mos të kenë hapësirën e duhur dhe të nevojshme ku të realizojnë aktivitetet e tyre. Si ministre dhe ministria që drejtoj jemi të interesuar që sa më shpejtë të jetësohet projekti i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit”.

“Kemi mbajtur komunikim të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës, ashtu që hapësira që është paraparë për ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm të kulturës në Kosovës, afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, të ndahet për projektin në fjalë”, përcjell Klan Kosova.

“Projektet garuese për objektin e teatrit do të bëhen transparente dhe qytetarët do të kenë mundësinë që të japin kontributin e tyre në përzgjedhjen e projektit më të mirë”

Po ashtu, ministrja Dumoshi tha se do të bashkëpunojë me Këshillin, por asnjëherë pa ndërhyrë në punën dhe vendimit që ata marrin si Këshill. Ministrja tha se duhet që sa më shpejt të zgjidhet Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës me qëllim të funksionalizimit të plotë të këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës së vendit tonë.

Anëtarët e Këshillit të Baletit e falënderuan ministren Dumoshi për pritjen dhe besimin e treguar. Ata thanë se do të punojnë dhe të angazhohen për të avancuar baletin, duke u fokusuar edhe në edukimin e brezave të baletit në Kosovë, duke vazhduar traditën e profesorit të Ahmet Brahimajt