Driton Kuka nominohet për çmimin e madh të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar

4 javë më parë

Driton Kuka nominohet për çmimin e madh të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar

Driton Kuka ka marrë mirënjohje të rëndësishme për punën shumë të suksesshme me ekipin e Kosovës në xhudo. Ai do të nominohet për një çmim të madh që e ndan Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për trajnerë të dalluar. Bëhet fjalë për “Çmimin e IOC-së për Arritje Jetësore të Trajnerëve”.

Kukën për çmimin e madh të IOC-së do ta nominojë Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF), përkatësisht presidenti i saj, Marius Vizer. Kjo i jep peshën më të madhe njohjes që i bëhet punës së Kukës, shkruan sot Koha Ditore.

Pavarësisht nëse do të fitojë çmimin e madh apo jo, nominimi i Kukës nga IJF-ja dhe nga presidenti Vizer shihet si dëshmi për vlerësimin e madh që trajnerit kosovar i bëhet në botën e xhudos.

“Çmimi i IOC-së për Arritje Jetësore të Trajnerëve” ndahet vetëm për herë të tretë. Deri më tash nuk e ka fituar ndonjë trajner i xhudos.

IJF-ja nuk ka bërë ndonjë nominim deri më tani dhe Kuka është i nominuari i parë i Federatës që po e rrit gjithnjë e më shumë profilin në skenën e madhe të sportit.

Xhudoja tashmë është prej lidereve në sportet individuale, kurse ka respekt të madh edhe në IOC.

Presidenti i IJF-së, Vizer, është prej personaliteteve më të respektuara në botën e sportit dhe besohet se do të shtyjë para nominimin e bërë për Kukën. Pak prej iniciativave të Vizerit nuk kalojnë në forumet e ndryshme sportive.