Dorëzohet Facebook-u, do t’i kthejë faqet e lajmeve në Australi

7 ditë më parë

Dorëzohet Facebook-u, do t’i kthejë faqet e lajmeve në Australi

Rrjeti social, Facebook, do t’i kthejë faqet e lajmeve në platformën e vet në Australi, pasi qeveria australiane ofroi amandamentim të ligjit të propozuar rreth detyrimeve të gjigantëve të medieve sociale për të paguar për përmbajtjet e publikuara në faqet e tyre.

Australia dhe rrjeti social me pronar amerikan janë përfshirë në një bllokadë për më shumë se një javë, pasi qeveria prezantoi legjislacion që e sfidoi mbizotërimin e Facebook-ut dhe Google-it në tregun e lajmeve.

Facebook-u javën e kaluar i bllokoi të gjitha lajmet në platformën e vet si dhe disa llogari të agjencive qeveritare në Australi, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, pas një vargu bisedimesh gjatë fundjavës mes shefit të rrjetit social, Mark Zuckerberg, dhe zyrtarëve australianë, u arrit një marrëveshje.

“Ne jemi të kënaqur që qeveria australiane është pajtuar për një numër ndryshimesh dhe garancish që i adresojnë shqetësimet tona thelbësore rreth lejimit të marrëveshjeve tregtare që e njohin vlerën që platforma jonë u ofron publikuesve e që lidhet me vlerën që ne marrin prej tyre”, thuhet në deklaratën e Facebook-ut.

Hartuesi kryesor i ligjit kundërthënës që shkaktoi mosmarrëveshje, Rod Sims, i cili është kryetar i Komisionit Australian për Konkurrencë dhe Konsumatorë, ende nuk e ka komentuar arritjen e marrëveshjes.