Dominimi i plotë i Besës – 20 vjet 14 tituj

6 ditë më parë

Dominimi i plotë i Besës – 20 vjet 14 tituj

Derisa anëtarët e Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) po bëheshin gati të ndanin medaljet dhe trofeun, hendbollistët e ekipit Besa Famgas të martën mbrëma në qendër të palestrës së vogël të Pallatit, Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë krijuan një rreth dhe filluan të festonin. Festën nuk e ndalën me kaq. Qëndruan për të festuar edhe për disa minuta pasi e pranuan trofeun. E kur erdhi radha e fotografimit, hendbollistët e Besës me shtatë gishta të ngritur lart përçuan një mesazh.

Treguan se ishte titulli i shtatë rresht i kampionit të fituar në Kosovë, që njëherësh është edhe rekord për nga numri i titujve të fituar rresht në sportet kolektive, shkruan KOHA.

“Jemi skuadra e vetme e sporteve kolektive që kemi arritur të fitonim shtatë tituj rresht, që është edhe rekord”, ka thënë një nga hendbollistët më të mirë të skuadrës pejane, Egzon Gjuka.

Por Gjuka me bindje të plotë thotë se Besa nuk do të ndalet me kaq dhe synon t’i fitojë 15 tituj rresht. Besa e mbylli këtë edicion pa asnjë humbje, duke e vazhduar dominimin në hendbollin kosovar. Madje në 20 vjet lojë hendbolli që nga paslufta e Kosovës ka arritur plot 14 tituj.

“Të them të drejtën, është bërë pak monotone për shkak se është hera e shtatë rresht, jemi mësuar me këtë triumf të kampionit. Besoj se edhe vite me radhë do ta vazhdojmë këtë dominim. Për të pasur rivalitet më të madh, duhet të hyjnë sponsorët, në mënyrë që të ketë punë më të madhe të klubeve. Viteve të fundit ka pasur një investim te Prishtina dhe Kastrioti, por duhet edhe në klubet e tjera për shkak se kur ka ekipe më të mira, ka edhe rivalitet më të madh dhe forcohet liga”, ka thënë hendbollisti më i mirë në Kosovë, Kastriot Jupa.

Shtatë titujt e Jupës, Kukrikës dhe Idrizit

Krahas Jupës edhe Ante Kukrika e Bajram Idrizi kanë fituar shtatë tituj rresht. Dhe, për këtë dominim të plotë të Besës, Kukrika ka vetëm një përgjigje.

“Përgjigjja e pyetjes është e thjeshtë. Kemi fituar shtatë tituj, sepse e kemi ekipin me kualitetin më të mirë në Kosovë”, është shprehur kroati Kukrika.

Kukrika në verën e vitit 2013 iu bashkua një klubi plotësisht të panjohur. Erdhi në një vend për të cilin nuk kishte shumë informata dhe as që i ka shkuar në mendje se do të qëndrojë gjatë. Por, pikërisht kështu ndodhi. Hendbollisti kroat, Ante Kukrika, vazhdon të jetë pjesë e klubit më të mirë në vend, Besa Famgas.