“Do të isha më i lumtur nëse Barça humbet”

3 vite më parë

“Do të isha më i lumtur nëse Barça humbet”

Si zakonisht, ka qenë Sergio Ramos ai që ka shpëtuar Real Madrid me dominimin e tij në luftën ajrore pas një pjese të parë të vështirë kundër Napoli-t, por mbrojtësi madrilen ka dashur të frenojë entuziazmin dhe të paralajmërojë ekipin e tij.

Në fakt, napolitanët kanë ëndërruar përmbysjen pas golit të realizuar nga Dreis Mertens në minutën e 24-t, por goli me kokë i Ramos ka çuar shifrat në 1-1 dhe pak minuta më vonë ka qenë përsëri ish-mbrojtësi i Sevilla-s ai që ka realizuar edhe golin e dytë për “Los Blancos” para se Alvaro Morata të fiksonte shifrat në 3-1 (6-2 rezultati i përgjithshëm), transmeton Telesport

“Një javë më parë kritikët më kanë sulmuar, për këtë arsye nuk dua të them se jam një hero pas këtyre dy golave”, ka thënë spanjolli. “Megjithatë, nuk kishte një mënyrë më të mirë për të festuar 100 ndeshje në Europë se kjo”.

Më pas Ramos ka kritikuar lojën e ekipit: “Kemi vuajtur shumë në pjesën e parë. Nëse do ta dinim formulën për të luajtur gjithmonë mirë, gjërat do të ishin më të lehta. Jo gjithmonë gjërat shkojnë sipas planeve, por kur luan me mentalitetin e duhur gjithçka bëhet më e lehtë”.

Në fund madrileni ka pasur një mesazh edhe për rivalët e Barcelona-s. “Do të isha më i lumtur nëse Barça humbet, do të bëja gjumin më të qetë”.