DnV: Osmani të përmbahet në deklaratat që mund ta cenojnë punë e KQZ-së dhe zgjedhjet

1 muaj më parë

DnV: Osmani të përmbahet në deklaratat që mund ta cenojnë punë e KQZ-së dhe zgjedhjet

Demokracia në Veprim ka reaguar pas deklaratës së Vjosa Osmanit, ushtrueses së detyrës së presidentes,e cila e ka quajtur të paprecedentë moscertifikimin e disa prej listave të kandidatëve për deputetë të partive politike nga KQZ-ja.

DnV me anë të një njoftimi ka deklaruar se Osmani duhet të ketë kujdes nga ato që thotë dhe nga veprimet që merr të cilat sipas tyre mund të cenojnë pavarësinë e punës së KQZ-së.

“DnV kërkon nga institucionet, e në veçanti nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentit, që të përmbahen nga deklarata dhe veprime të cilat mund të cenojnë pavarësinë e punës së KQZ-së dhe vet integritetin e zgjedhjeve. Kërcënimet publike janë të papranueshme dhe të patolerueshme dhe të tillat nuk përkojnë me vlerat dhe avancimet që Kosova ka pasur përgjatë viteve të fundit në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. E gjithë kjo situatë e krijuar rrezikon të krijojë tensione dhe paqartësi në mesin e qytetarëve, duke ndikuar në uljen e besimit publik në zgjedhje”.

“Është përgjegjësi dhe obligim i të gjitha institucioneve që të ndjekin rrugët ligjore dhe procedurat ankimore të parapara në ligj, në rast të pakënaqësive me vendimet e institucioneve, e të mos përdorin kërcënimet publike si mënyrë për adresimin e pretendimeve të tyre për shkelje ligjore”.

“DnV rithekson nevojën që U.D. e Presidentit të Kosovës të ushtrojë funksionet e saj kushtetuese, pavarësisht faktit që e njëjta është pjesë e garës zgjedhore, duke mos u përfshirë në debate politike dhe të ruajë frymën e këtij institucioni si përfaqësuese e unitetit qytetar”, thuhet në njoftim të DnV-së.