Djali i Maradonës: Messi është më i miri ndër njerëz, por babai im ishte Zot

2 muaj më parë

Djali i Maradonës: Messi është më i miri ndër njerëz, por babai im ishte Zot

Djali i legjendës së futbollit, Diego Maradonës, e ka komentuar debatin se a është ylli argjentinas Lionel Messi futbollist më i mirë sesa që ishte babai i tij, duke thënë se përderisa kapiteni i Barcelonës është më i miri ndër njerëzit, babai i tij është Zot i futbollit.

Lionel Messi ka fituar çdo titull në botën e futbollit të klubeve. Megjithatë, kjo gjë nuk vlen edhe për karrierën e tij me ekipin kombëtar të Argjentinës, me të cilët ka dështuar ta fitojë ndonjë garë të madhe deri më tani. Skuadra e Argjentinës pësoi disfatë në Kupën e Botës 2018, ku u eliminuan nga Franca në fazën eliminatore, transmeton Gazeta Express.

Gjashtë-herë fituesi i Topit të Artë u kthye në ekipin e Argjentinës pas një pushimi të gjatë që e kishte marrë pas Kupës së Amerikës. Messi nuk arriti ta fitojë ndeshjen kundër Venezuelës, në të cilën u lëndua dhe u kthye në Barcelonë, në pamundësi për të luajtur kundër Marokut.

Në anën tjetër, Diego Maradona, i cili po ashtu konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohëve, i ndihmoi Argjentinës ta fitonte titullin e Kupës së Botës në vitin 1986.

“Messi është një fenomen, por askush s’mund të krahasohet me babanë tim. Ju nuk mund t’i krahasoni njerëzit me jashtëtokësorë. Më vjen keq, por askush nuk do të arrijë nivelin e babait tim, është e pamundur”, ka thënë Maradona Jr.

Maradona Jr ishte po kaq i qartë në përgjigjen e tij edhe për debatin lidhur me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.

“Unë e adhuroj Messin. Ai është më i miri tani dhe Cristiano as që i afrohet. Kushdo që e kritikon atë në Argjentinë, s’di gjë për futboll. Babai im e do atë shumë dhe më flet për të shumë”, shtoi Maradona Jr. /Express