9 muaj më parë

Diplomacia e ndërtimtarit dhe shteti në prapakthim

Diplomacia e ndërtimtarit dhe shteti në prapakthim

Shkruan: Agron Halitaj

Një shfaqje komike që për subjekt do ta kishte gjendjen e tanishme në Kosovë, zor se do të mund ta jetësonte në skenë ndonjë komedian i njohur, edhe sikur ai të ishte vetë Molieri. Në realitet nuk është komike sa është tragjike rrethana kur një shtet i ri që ka lindur hiç më larg se para dhjetë vjetësh, përfundon në shkallën sa të mos e di se sa vende e kanë njohur.

Në fillim dihej gjithçka, por që nga viti 2012 e këndej, asnjë politikan kosovar, duke përfshirë edhe presidentët, nuk kanë qenë në gjendje të thonë me saktësi se kaq shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sa herë që është vënë theksi te njohjet, është folur me tahmin: mbi 90…, mbi 100…, mbi 110…

Kështu numri i njohjeve prej asaj kohe është bërë pyetje “1 milion dollarëshe” për secilin kosovar.

“Kuizi” për njohjet e shtetit është krijuar falë ndërtimtarit të pasur Behgjet Pacolli, të cilit në një natë vere apo dimri mund t’i ketë shkrepur në ëndërr se mund të bëhet president shteti. E pse mos ta ndiqte ëndrrën, kur në një shtet të varfër e me një qytetari të fjetur, kishte kohë që kishte nisur të fliste paraja më shumë sesa dija. Dhe ëndrra e tij një ditë u bë realitet, megjithëse përfundimi nuk ishte me “happiness”.

Për t’ia kthyer lumturinë biznesmenit të dëshpëruar u përkujdes Hashim Thaçi, njeriu që sot është në krye të shtetit. Në saje të një marrëveshjeje me Isa Mustafën e LDK-së, arriti ta ruajë partneritetin me burrin që e ka ndërtuar rezidencën presidenciale në Kremlin dhe e ngarkoi atë me udhëheqje të politikës së jashtme të shtetit, ani se Qeveria e kishte një ministër që merrej enkas me këtë punë.

Duke qenë dy, Pacolli e Enver Hoxhaj, parimisht duhej të përbënin një fuqi të vetme, por në vend të kësaj, ata i hapën frontet kundrejt njëri-tjetrit. “Luftën diplomatike” që do të duheshin ta bënin në arenën ndërkombëtare kundrejt Serbisë, e zhvillonin brenda objektit të Qeverisë, duke u shtyrë me bërryla se kush ishte më meritor për pranimin e ndonjë njohjeje të shtetit nga jashtë.

Dikur u pështoll puna rreth njohjeve! Në qershor 2012, derisa Pacolli konfirmonte se ishin siguruar 91 njohje, Ambasada Amerikane në Prishtinë doli me një shifër tjetër. Për shtetin më të fuqishëm në botë, Kosovën asokohe e kishin njohur 89 vende, pra dy më pak se që thoshte shefi i diplomacisë vendëse. Për SHBA-të, letrat që Pacolli thoshte se i kishte pranuar nga Uganda e Nigeria, nuk paraqisnin njohje. Prej atëherë, numri i njohjeve u bë i kontestueshëm, megjithëse trendi vazhdonte të ishte pozitiv.

E mbrapshta e madhe iu dha shtetit në këtë mandat qeverisës, kur më nuk diskutohet nëse një apo dy shtete e kanë njohur apo jo Kosovën, por kur flitet për tërheqje dyshifrore të njohjeve. Si dikur që foli Amerika, tash lajmin e keq e nxori Britania e Madhe. Qe ambasadori i këtij shteti, Ruairi O’Connell, ai që e konfirmoi se disa shtete i kanë rënë pishman që na kanë njohur. Dhe ato nuk janë pak, por flitet të jenë 10. Lajm më të keq se kaq për Kosovën nuk ka prej 17 shkurtit 2008 e këndej.

Tash, as Pacolli, as njerëzit që e rrethojnë atë, s’kanë pse përpiqen ta dëshmojnë të kundërtën e asaj që ka thënë ambasadori i huaj, por duhet të japin llogari për dështimin e të bërit diplomaci. Përgjegjësia nuk duhet të rëndojë vetëm mbi të e mbi kushedi sa zëvendësministra që i ka Ministria e Jashtme, por edhe mbi Ramush Haradinajn si kryeministër dhe mbi Hashim Thaçin si i pari i vendit, sepse dëmi me çnjohje i kalon përmasat e të gjitha dëmeve tjera që janë shkaktuar deri më tani.

Me çnjohjet e shtetit janë shterur të gjitha arsyet që të tillët të qeverisin. Nuk mund të jenë në ballë të një populli ata që i humbasin betejat diplomatike me Serbinë. Nuk mund të qeverisin ata që vrapojnë korridoreve për t’i shtrënguar duart me udhëheqësit e një shteti që s’lënë gur pa lëvizur për ta zhbërë shtetësinë e Kosovës. Nuk mund të ecet përpara me ata që e sfidojnë miqësinë me aleatët e jashtëm që na kanë ndihmuar të pavarësohemi. Andaj, para se të kërkohet nga Perëndimi që t’i hapë dyert për lëvizje të lirë, duhet ndërruar pllakën dhe të veprohet ashtu siç do të vepronin të gjithë popujt që kanë ecur shumë para nesh- të kërkohet përgjegjësi!

Si dikur moti, si sot, ne vetëm presim se çka na japin e çka na thonë evropianët e amerikanët. Presim që ata të na bëjnë çarenë – të na i zgjidhin të gjitha telashet. Nga ta presim edhe të na tregojnë nëse politikanët tanë tallen me ne si popull. Kështu e pyeti së voni një qytetar diplomatin britanik, dhe e mori përgjigjen “shkurt e shqip”. “Kjo nuk është pyetje për një diplomat. Kjo është një pyetje për qytetarin e Kosovës. Ti duhet ta diskutosh këtë me shokët e tu, me familjen, kolegët, shokët e klasës. Gjëja më e keqe do të ishte nëse njerëzit mendojnë se kjo është një pyetje për diplomatët”, i tha O’Connell.

Ç’është e vërteta, ne s’i popull i diskutojmë këto gjëra. Sikur të na dëgjojë një i huaj kur nxehemi në muhabet, mund t’i mbushet mendja se jemi të aftë t’u gjejmë zgjidhje edhe problemeve më të mëdha globale, lëre më problemeve tona. A në realitet jemi vetëm “llafologë” e “gjithologë”, që rrimë duke sharë e kritikuar pushtetarët e këqij, por që nuk e bëjmë as më të voglën përpjekje për t’i ndryshuar gjërat për të mirën e përbashkët. Më lehtë ikim sesa që përballemi me ata që e cenojnë të ardhmen tonë.

Duke mos dëshmuar asnjëherë se edhe në Kosovë populli është sovrani, pushtetarët do të vazhdojnë të ndjehen rehat dhe shteti do të vazhdojë të ecë me hapa prapa duke u futur thellë e më thellë në krizë identiteti. Dhe kështu një ditë do të bëhet vonë për të gjithë!