5 muaj më parë

Dhuna e pushtetit nuk mund të durohet, veç të kundërshtohet!!!

Dhuna e pushtetit nuk mund të durohet, veç të kundërshtohet!!!

Dhuna që po ushtrohet mbi ne plotë 20 vjet dhe në forma të ndryshme nga pushtetet e deritashme, po bëhet vetëm pse ne kemi pushuar të reagojmë ndaj tyre, ashtu siç bënim dikur kur kishim guxim qytetar, solidaritet njerëzor dhe ideal e qëllim, veçmas gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Duket se jemi shndërruar në një shoqëri të mjerë, të sëmurë nga lebra. Të gjithëve po na gërditet që jemi të tillë, por reagimet po mungojnë, nuk po duam të dryshojmë as të shërohemi. Nga personi i infektuar, të cilit i bie lëkura, shumë më lehtë është ta kthesh kokën anash dhe të shtiresh se nuk jeton në rrugën tonë, se sa të kërkosh zgjidhje dhe ilaç.

Shumë më pak mund lypset që koka të kthehet anash, ose të futët në zallë, apo të braktiset vendi (shteti) që të jetohet në dhimbjen vetjake, se sa t’i përvjelim mangët dhe ta pastrojmë jashtëqitjen.

Me logjikën e rezistencës së vogël kurrë nuk jetohet, por vetëm mbijetohet.

I menquri lëshon pe, është vetëm emër tjetër për vajtimin e llojit të vet të kërkimin të pretekstit për mosveprim dhe mospërzierje në jetën personale. Një veprim i tillë pasiv, është pikëllues dhe skajshmërishtë i turpshëm.  Të mbrohesh me ironi, sarkazëm dhe ta lartësosh veten mbi shoqërinë, cilës i takon, është t’ia bësh shërbimin më të keq vetvetes.

Kush vendos të tërhiqet para vërshimit të të keqës, duhet të ndihet keq, përpos, nëse në situatën e tillë nuk ndihet mire, që pastaj nënkuptohet se është pjesë e problemit. Me këtë rast nuk po mendoj vetëm në situatën materiale të dikujt. Është evidente se ekzistojnë njerëz të paprekur nga gishti i pistë i bandës, të cilët në këtë shoqëri ia kanë dalur të gjinden. Ata megjithatë janë pjesa më kritike e masës. Të dehur në botën e vet të sigurisë financiare, përzgjedhin që të mos bien në konfikt dhe të mos e ndryshojnë “status quon” e vet. Askujtë nuk i intereson parimi, ndërgjegja, njerëzillëku, morali…

Mirëpo, situata materiale nuk është as për së afërmi me cilësinë e jetës. Është premisë e rëndësishme për këtë, por jeta përbëhet nga shumë gjëra tjera: shoqëria e shëndosh dhe e sigurt, shteti i zhvilluar ekonomikisht, kultura, arti, muzika, teatri, qytetaria, klima e shëndosh afariste, mosekzistimi i dhunës, respekti, mirësjellja, edukata, liria, barazia sociale e qytetare, barazia gjinore, të drejtat njerëzore, shteti ligjor e funksional i cili i mbron qytetarët dhe për ata ekziston e zhvillohet.

Secila nga këto sfera, dhe shumë të tjera, është ndotur, është kontaminuar me helmin më të fortë, është rrënuar, shkatërruar, përdhosur deri në masën çfarë nuk njihet, apo çfarë i shkakton armiku (okupatori) më mizor.

Jeta iluzore nuk është kurrfarë jete, është jetë qenqe. Nuk ekziston arsyetimi për durimin e dhunës, të brutalizimit e terrorizimit nga pushteti. Kjo duhet të kundërshtohet. Vetëm në qoftë se scili nga ne, në mikrokosmosin e vet, vendos t’i kundërvihet kësaj të keqeje pandemike, do ta kthejmë dinjitenin qytetarë, njerëzorë e kombëtarë. Në të kundërtën, do të jemi gjithmonë gjysmë të sëmurë, përkohësisht të shëruar, dhe prapë do të na dridhin ethët.

Në këtë sundim të një organizate të interesit (kastës, apo klanit politik) qëllimi i vetëm e së cilës është të jetuarit e vet parazitor, është nën çdo nder për të mos reaguar. Çdo pore e shoqërisë sistematikisht po mbyllet dhe lëkura po na vdes. Duhet mbledhë forcën, ta paramendosh shoqërinë në të cilën do të doje të jetosh dhe të mos pajtohesh me kompromise nëse pak e çmosh jetën tënde dhe jetën e paraardhësve e pasardhësve tu. Në të kundërtën, futu thellë në mollën tënde të kalbur, dhe nesër tregoju nipërve si ishte të jetosh si krimbi.