Dhembja është gjëja më e vërtetë!

2 muaj më parë

Dhembja është gjëja më e vërtetë!

Nga: Agron Shala

Në vitin 1994, Trent Reznor me grupin e tij Nine Inch Nails incizon albumin “The Downward Spiral”, që flet për natyrën shkatërruese të njeriut. Kënga “Hurt” e përshkruan më së miri dhembjen e shkaktuar nga tjetri, shpeshherë edhe nga vetja; gjendjen depresive të individit; krizën e tij… Mund të jetë lufta e tij për të gjetur kuptimin e ri për jetë, por edhe një letër e lamtumirës!

Në vitin 2000, Reznor – një prej njerëzve më revolucionar në muzikën rok – e takon frymëzuesin e tij, Roger Waters. Në një intervistë të përbashkët me të, ai tregon se si koncepti i Watersit me albumin “The Wall” (me grupin Pink Floyd) ia ka ndryshuar jetën; se ishte pikënisje e re në jetën e tij. Në diçka të tillë të sinqertë, ai e kishte parë veten. Ndaj, dhembjen e tij jetësore, te fëmijërisë dhe të famës që degradon shpirtin e njeriut, të sistemit që tjetërson individin, është munduar ta pasqyrojë – si Watersi dikur – në albumin konceptual “The Downward Spiral”.

Në vitin 2002, këtë këngë e interpreton legjenda e muzikës amerikane, Johnny Cash (1932-2003). Në fakt, kur e dëgjon këtë version, të bën të thuash se kënga “Hurt” është bërë tamam për jetën e trazuar të Cashit. Kjo shihet edhe në spotin aq të thjeshtë e domethënës. Sepse, në të flet njeriu, fytyra e artistit jokonformist! E, teksti mund të thuhet se është shkruar edhe për njeriun e rëndomtë që përjeton veç dhembje në luftën e përditshme për të mbetur gjallë si njeri.

***

I LËNDUEM

Nga: Trent Reznor (kënga “Hurt” nga albumi “The Downward Spiral” i grupi Nine Inch Nails, 1994)
Përktheu: Agron Shala

sot veten e kam lëndue
qí me kuptue a jam hala kah ndiej
te dhimta menjen e kam vnue
e vetmja gjâ e përnjimendshme
gjilpana birën e ka shpue
nji pickim i njohtun për mue
po provoj krejt me i harrue
ama gjithçka jam tuj kujtue

n’çka k’shtu jam shëndrrue?
miku jem ma i miri
tan’ ata qì i njoh
n’fund kanë me m’lanë
ke mujt krejt me i pasë
mretninë tême t’flliqtë
kam me t’zhgënjye
kam me t’lëndue

n’kry vnuet kunorën e mutit
përmi fronit têm t’rrencit
i mushun me mendime t’thyeme
qì s’muj me i ndreqë
përfuni njollave t’kohës
ndjenjat po zhduken
dikush tjetër je ti
e unë hala jam këtu

n’çka k’shtu jam shëndrrue?
miku jem ma i miri
tan’ ata qì i njoh
n’fund kanë me m’lanë
ke mujt krejt me i pasë
mretninë tême t’flliqtë
kam me t’zhgënjye
kam me t’lëndue

me pas mujt me ia nis prej fillimit
miliona milje larg prej këtuhit
veten e kisha frenue
një rrugëdalje e kisha zbulue

/Telegrafi/