8 muaj më parë

Dezertorët dhe kamikazët në kohë pandemie

Dezertorët dhe kamikazët në kohë pandemie

Brenda një qarku kohor 10-vjeçar, e pakënaqur me partnerët, Lidhja Demokratike e Kosovës për herë të dytë po bëhet sebep që vendi të futet në krizë politike-institucionale. Në vitin 2010, ish-ministrat dhe zëvendësministrat, anëtarë të kësaj partie, i patën braktisur zyrat qeveritare në shenjë pakënaqësie me ish-kryeministrin Hashim Thaçi, pasi besonin se ai kishte gisht në aktgjykimin kushtetues që e detyroi liderin e asokohshëm të LDK-së, Fatmir Sejdiun, ta lironte pozitën e presidentit si një shkelës të Kushtetutës.

Por, edhe pse u thyen me PDK-në, deputetët e LDK-së as që patën provuar të ngrehin Mocion Mosbesimi ndaj Qeverisë, por ia patën lënë në dorë ish-kryeministrit Thaçi që të menaxhonte vendin deri në përfundim të mandatit të rregullt kushtetues. Por, Thaçi pati zgjedhur të vetërrëzohet pasi kishte humbur mbështetjen e shumicës parlamentare dhe si rrjedhojë qenë shpallur zgjedhjet e parakohshme.

Duhet kujtuar se asokohe vendi nuk po kalonte kurrfarë situate të pazakontë, në mënyrë që LDK-ja të tregonte ndonjë fije tolerance ndaj partnerit qeverisës, sa të mos ngrehte Mocion mosbesimi. Dhe, atë që s’e bëri në rrethana të zakonshme me PDK-në, po e bën tash me Vetëvendosjen në rrethana të jashtëzakonshme, kur jo vetëm Kosova po i gjithë planeti po përballet me pandeminë e shkaktuar nga virusi korona.

LDK-ja po e fut vendin në krizë institucionale duke ngrehur Mocion Mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, pikërisht në kohën kur si asnjëherë më parë në histori, të gjitha vendet janë mobilizuar me të gjitha kapacitetet që kanë për ta tejkaluar me sa më pak pasoja krizën virusale. Teksa liderët e shteteve tjera nuk rreshtin së adresuari para qytetarëve të tyre mesazhe motivimi, shprese dhe kujdesi, liderët e Kosovës bëjnë makinacione politike se si të dezertohet e si të rrëzohet Qeveria në kohën më të ligë.

Po aq sa janë të dukshme veprimet e LDK-së, shihen qartazi edhe veprimet me prapavijë të Albin Kurtit. I vënë përball presionit amerikan për heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të taksës ndaj produkteve nga Serbia, ai nuk dha prova se është i gatshëm që të ecën tutje si shef qeverie. Përndryshe, nuk do të provokonte konflikt me LDK-në, duke e shkarkuar pikërisht atë që u përdor si çelës i formimit të koalicionit, e që angazhimi i tij në Qeveri i kushtoi buxhetit të shtetit rreth 400 mijë euro. I sfiduar nga SHBA-të me heqjen e pengesës nga rruga që çon drejt nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, Kurti, njëjtë si pararendësi i tij Ramush Haradinaj, zgjodhi të bëjë ‘tërheqje taktike’, duke ia “futur fitilin” koalicionit qeverisës.

Në rolet kryesore të kësaj “drame” politike luan edhe kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ai që detyrimisht do duhej të ishte unifikues dhe të përkujdesej për funksionimin normal të institucioneve. Duke provokuar me nxjerrjen e dekretit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, për çka kishte siguruar paraprakisht mbështetjen e liderit të LDK-së, ai ka pritur që Kurti do të lëvizte shpejt për të mos lejuar që në Kuvend të kalonte një dekret të cilin e kundërshton si kryeministër. Njëjtë, as vet Thaçi nuk do të kishte pse të qëndronte më në krye të shtetit, nëse Kuvendi do t’ia rrëzonte dekretin më të ndjeshëm që mund ta nënshkruajë një president. Pasi gjithçka eci sipas skenarit, Thaçi e ndali dekretin në zyrë dhe nuk e përcolli fare në Kuvend. Kështu edhe Thaçi, edhe Kurti, e përdorën LDK-në si instrument për krizë institucionale.

Një parti që si postulat në kohë zgjedhjesh e ka “institucionalizimin dhe frymën rugoviane”, nuk do duhej t’ia lejonte vetës të bëhej shkaktare e prishjes së Qeverisë në kohën më të ndjeshme, kur qytetarët si kurrë më parë jetojnë në izolim, e kur nevojat për trajtimin e gjendjes emergjente janë ekstremisht të mëdha. LDK ka të drejt të mos ia falë VV-së provokimin për prishje të koalicionit, por tash për tash nuk është as në interesin të saj, e as të vendit që të bëhet shkaktare e rrëzimit të Qeverisë. Kur të marrë fund ankthi që po e përjetojmë nga virusi, menjëherë le të hapet lufta kush-kë po mundet ta rrëzoi.

Tash për tash, kompromisi më i vogël që mund ta bëjë LDK-ja, është të largohet vetë nga Qeveria siç ka bërë me 2010, ta tërheq Mocionin e Mosbesimit dhe ta shtrojë atë pasi të kalon pandemia dhe të nis rrjedha normale e jetës. Me Mocion në kohë pandemie, LDK po bëhet parti kamikaze përball një Vetëvendosjeje dezertore. Kryefajtorë do të mbeten Isa Mustafa e Albin Kurti.

AKTIV PRESS