Dështon arkëtimi i taksës ujore, buxheti humb milionat

6 ditë më parë

Dështon arkëtimi i taksës ujore, buxheti humb milionat

Miliona euro vazhdon t’i humbë buxheti i shtetit çdo vit shkaku i dështimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të arkëtojë taksën për shfrytëzimin e ujit nga kompanitë e ambalazhimit.

Kjo ministri asnjëherë nuk ka dërguar vendimet financiare për këto kompani, me arsyetimin se operatorët ekonomikë nuk kanë raportuar paraprakisht për sasinë e shfrytëzuar të ujit të ambalazhuar, ashtu siç kërkohet me legjislacionin në fuqi, shkruan Koha Ditore.

Shkeljet zinxhir, të bëra nga MMPH-ja që nga viti 2006, kishte tentuar që t’i amnistonte kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj. Kjo pasi ai në një mbledhje më 3 tetor të 2017-s kishte marrë vendim që të aprovonte faljen e borxheve për këto kompani, përmes ndryshimit të një neni të Udhëzimit administrativ për strukturën e pagesës së ujit. Borxhi i tyre, sipas një raporti të Komisionit Ndërministror për Ujëra, supozohet të jetë 59 milionë euro. Por më pas ai kishte hequr dorë nga falja e borxhit për ambalazhuesit, duke e ndryshuar vendimin paraprak, ku nga pika e parë e vendimit ai ka hequr fjalën “aprovohet falje e borxheve” dhe e ka zëvendësuar atë me “aprovohen lehtësirat për ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit administrativ, për strukturën e pagesave të ujit”.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar 18 muaj që nga ky vendim, kjo ministri nuk ka arritur që të bëjë zgjidhje. Tani ajo po tenton që përmes ndryshimit të udhëzimit administrativ sipas kërkesës së vendimit të Qeverisë për lehtësira për kompanitë e ambalazhimit, të bëjë zgjidhje për arkëtimin e kësaj takse.