“Dështim njerëzor”: OKB-ja paralajmëron për shtim të sëmundjeve që barten nga kafshët

1 muaj më parë

“Dështim njerëzor”: OKB-ja paralajmëron për shtim të sëmundjeve që barten nga kafshët

Bota është duke u ballafaquar me shtim të sëmundjeve që barten nga kafshët te njerëzit, sikurse kjo e koronavirusit, ka paralajmëruar të martën Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke u bërë thirrje qeverive kudo në botë që të ndërmarrin masa për të parandaluar pandemitë e ardhshme.

Në një raport të ri të publikuar të martën, Programi i OKB-së për Mjedisin (UNEP) dhe Instituti për Kërkime Ndërkombëtare me Bagëtitë (ILRI) kanë definuar bashkërisht shtatë trendët përgjegjës për shfaqjen e sëmundjeve të këtilla, të njohura si zoonotike, shkruan Al-Jazeera.

Mes këtyre trendëve përfshihet kërkesa e shtuar për proteina të kafshëve, ekstraktimi i resurseve natyrore dhe urbanizimi, bujqësia intensive dhe e paqëndrueshme, eksploatimi i botës së egër, udhëtimet e shtuara dhe transporti, ndryshimet në rrjetin e furnizimeve me ushqime dhe ndryshimet klimatike, transmeton KOHA.

“Shkenca e thotë qartë se po qe se vazhdojmë me eksploatimin e botës së egër dhe shkatërrimin e ekosistemeve tona, atëherë mund të presim shpeshtimin e shpejtë të këtyre sëmundjeve që kalojnë prej kafshëve te njerëzit ndër vite”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e UNEP-së, Inger Andersen.

“Ishim paralajmëruar se pandemia aktuale nuk ishte punë ‘nëse’-je, por vetëm kohe. Dhe ishte gabimi njerëzor ai që parashikuam, por nuk ishim të përgatitur”, ka shtuar ajo. “Për të shmangur shpërthimet e ardhshme të sëmundjeve, duhet të bëhemi më të vëmendshëm për mbrojtjen e mjedisit tonë natyror”.

Koronavirusi i ri, i cili sipas të gjitha gjasave ka pasur origjinën nga lakuriqët, ka infektuar më shumë se 11 milionë njerëz dhe ka shkaktuar vdekjen e të paktën gjysmë milioni të tjerëve kudo në botë, kanë treguar të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.

Por kjo është vetëm një prej sëmundjeve përherë e më të shumta – përfshirë Ebolën, MERS-in, ethet e Nilit Perëndimor, Zikën, SARS-in dhe ethet e Luginës Rift – që janë bartur prej kafshëve nikoqire te popullatat njerëzore gjatë viteve të fundit, ka treguar raporti.