Deputetët mendojnë për ish- shefat e shërbimit sekret

3 vite më parë

Deputetët mendojnë për ish- shefat e shërbimit sekret

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) kanë propozuar që të rregullohet me ligj çështja e pagave të kryespiunëve, pas përfundimit të mandatit të tyre.

“Drejtorët e AKI-së të cilët e përfundojnë punën, kjo çështje të rregullohet në të ardhmen e tyre me ligj, në kuptimin e pagave, sepse ata me vetë faktin që janë emëruar në një institucion të tillë, janë njerëz të cilët kanë bagazh, kanë vlerë dhe kanë pasur qasje në informacione të klasifikuara”, ka theksuar Rrustem Berisha, anëtar i këtij Komisioni.

Përndryshe, drejtorët e AKI-së pas përfundimit të mandatit nuk kanë beneficione sa u përket pagave, për dallim nga zyrtarët e tjerë të lartë shtetërorë si: presidentët, kryeparlamentarët, etj., ndonëse udhëheqin një institucion shumë të rëndësishëm në sektorin e sigurisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI- së dje ka hedhur në shqyrtim të gjeturat në monitorimin e Ligjit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.

Kryetari i këtij Komisioni, Haxhi Shala, paraqiti para anëtarëve rekomandimet kryesore të këtij komisioni.

Njëri ndër rekomandimet e këtij komisioni është edhe pavarësimi i Departamentit për Verifikim nga AKI-ja dhe krijimi i një agjencie të pavarur.

Ky komision po ashtu i ka rekomanduar Qeverisë që urgjentisht ta procedojë ligjin e ri për klasifikim të informacionit dhe verifikim të sigurisë.

Gjatë takimit është rekomanduar që verifikimit t’i nënshtrohen edhe deputetët anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe të Komisionit për Punë të Brendshme.

Pikë kjo që ka ngjalluar reagime mes anëtarëve të komisionit.

Deputetja nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Derguti, e vlerësoi si të pakuptimtë verifikimin e anëtarëve të këtij komisioni, përderisa ky departament ndodhet brenda AKI-së.