Dega e Gazetarisë kërkon pezullim të vendimit për mosakreditim të programeve

4 vite më parë

Dega e Gazetarisë kërkon pezullim të vendimit për mosakreditim të programeve

Dega e Gazetarisë e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, e ka quajtur arbitrar dhe të pabazuar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim për pezullimin e programit master “Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun” dhe programin e doktoraturës “Gazetari dhe Shkencat e Komunikimit”.

Shefi i Degës së Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, Milazim Krasniqi, ka deklaruar për AktivPress se pret që ky vendim të pezullohet, pas reagimeve të institucioneve përkatëse të universitetit dhe departamentit që ai drejton.

“Unë sinqerisht mendoj që vendimi është arbitrar dhe i pabazuar në realitetin që ekziston në departamentin dhe në fakultetin tonë të Filologjisë. Në këtë aspekt edhe kemi reaguar si departament dhe e konsiderojmë si një suspendim arbitrar dhe të palogjikshëm”, tha ai.

Sipas Krasniqit, mos akreditimi i këtyre dy programeve është dëm i madh për shoqërinë dhe të rinjtë e Kosovës. “Unë besoj që në të gjitha nivelet duke përfshirë departamentin, dekanatin dhe rektoratin, do të ketë reagime, do të ketë shpjegime shtesë dhe ata nëse me të vërtetë e bëjnë këtë pezullim do të jetë një vendim paragjykues dhe arbitrar por jo në interesin publik dhe as në interesin e shoqërisë së Kosovës”, shprehet shefi i degës.

Krasniqi, i cili është profesor i rregullt në të tri programet e degës së Gazetarisë në UP, shtoi se Këshilli, ka marrë këtë vendim pasi sipas tij ka operuar me disa numra dhe nuk i ka parë faktet e tjera për suksesin që kanë programet në krijimin e kuadrove të reja akademike.

“Ata thjesht kanë operuar me disa numra, por realiteti është që në fakultetin tonë ka raste që një mësimdhënës punon edhe në letërsi edhe në gazetari ose edhe në gjuhë shqipe dhe në gazetari, por ata nuk i kanë marr këto fakte parasysh. Suspendimi i programeve është dëm shumë i madh për shkak se jemi në kohën kur këto programe duhet të zhvillohen gjithnjë e më shumë për nevojat e tregut të punës. Për ditë e më shumë ka media, portale, televizione. Për ditë e më shumë po shtrohet nevoja e edukimit medial të rinisë në arsimin publik”, është shprehur drejtuesi i kësaj dege.

Krasniqi ka shtuar se Dega e Gazetarisë do të duhet të shpërblehej për punën, pasi sipas tij, shumica e kuadrove që kanë diplomuar në këto drejtime, në shkallën më të lartë janë të punësuar, krahasuar me drejtimet e tjera të universitetit publik.

“Në vend që departamenti ynë të shndërrohet në fakultet të gazetarisë dhe komunikimeve ata po i suspendojnë programet”, thotë ai.

Këshillit Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka marrë vendim që të pezullojë 131 programe të studimit në universitetet publike dhe private në Kosovë, e që 23 programe prej tyre janë nga Universiteti i Prishtinës.

“Në lidhje me angazhimin e stafit akademik për programet veçse të akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, KSHC i AKA-së ka analizuar gjendjen e stafit akademik të secilit institucion të arsimit të lartë dhe në mungesë të plotësimit të kritereve sipas legjislacionit në fuqi ka marrë vendim për pezullimin e akreditimit të 131 programeve të studimit të ofruar prej institucionet publike dhe private të arsimit të lartë”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim./AktivPress/Emirjeta Vllahiu