Dave Bartholomew, gjiganti që e mësoi botën me rock’n’roll

3 javë më parë

Dave Bartholomew, gjiganti që e mësoi botën me rock’n’roll

Londër, 25 qershor – Dave Bartholomew ka vdekur në New Orleans në moshën 100-vjeçare. Derisa vdekja e tij nuk ka të ngjarë të ngacmojë ato lloj lavdërimesh që iu jepen muzikantëve të shuar, Bartholomew ishte një gjigant, një njeri që ndihmoi të krijohej tingulli dhe drejtimi i ritmit blues dhe rock’n’rollit, përderisa në mënyrë të tërthortë ka ndihmuar të formësohet edhe muzika “ska” dhe, shumë më vonë, rapi.

Bartholomew pëlqente të thoshte “kam zbuluar goditjen e madhe”, dhe kjo nuk ishte çfarëdo mburrjeje: nëse ndonjë muzikant duhet të marrë merita për formësimin e tingullit në Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë ai është Bartholomew.

Ai ka lindur në Edgard, Louisiana, më 1918: një qytezë ku popullata afroamerikane punonte në mullinj sheqeri apo në barka lumenjsh. I ati i Bartholomewit luante me tuba për bendet e jazzit, duke e shpërngulur familjen në New Orleans më 1933, e duke punuar në varka lumi apo edhe në bare. Këtu i riu me dhuntinë e muzikës nisi të luante me trumbetë për jazzin lokal dhe bende të ndryshme. Ai shërbeu në ushtrinë amerikane gjatë luftës, duke u kthyer në New Orleans vetëm më 1945.

Duke e formuar bendin e tij, Dave Bartholomew dhe Dew Droppers – të quajtur kështu sipas klubit të famshëm të natës, The Dew Drop In – Bartholomew sajoi ritmin “blues” nga lëkundjet. Një gazetar lokal shkroi për bendin e Bartholomewit më 1947: “Po ta themi butë, ata bënë që shtëpia të ushtonte”. Brenda një dekade bota perëndimore do të ngrihej peshë për tingujt e Bartholomewit. Më 1947, Bartholomewi e bëri regjistrimin e tij debutues për Deluxe Records.

Ai pati një shitje goxha të mirë lokale dhe kështu ai shënoi hitin e tij të parë kombëtar më 1949 me “Country Boy”. Po atë vit përderisa luante në Houston, Teksas, Bartholomewit iu afrua Lew Chudd nga “Imerial Records”, një studio e pavarur nga Los Angelesi që asokohe shiste incizime meksikane. Chudd e pyeti Bartholomewin nëse ishte i interesuar të punonte me të.

Së shpejti Bartholomewi do të shërbente si këngëtar i talentuar në Imperial New Orleans A&R man – pastaj duke prodhuar, aranzhuar, e shpesh duke shkruar këngë e duke i luajtur ato. Më 1949 dy hitet e Imperialit do të shërbeheshin me talentet e Bartholometit: “Jewel King’s 3 x7=21” dhe “The Fat Man”. Bartholomewi kishte themeluar “Dominon” që luante në bare lokale dhe njihte cilësitë e yllit të ri: të dy burrat adaptuan “Junker’s Blues”, një këngë për varësinë e heroinës, në “The Fat Man”.

Lew Chudd në fillim e kishte urryer atë, por seç qëlloi në shenjë me dëgjuesit zezakë, duke shitur mbi një milion kopje. “The Fat Man” tani shpesh quhet edhe “regjistrimi i parë rock’n’roll”. Bartholomew e braktisi Imperialin më 1950 pas një mosmarrëveshjeje mbi pagesat dhe u përqendrua në krijimin e regjistrimeve të tij, duke krijuar himnin e rrugëve “Shrimp and Gumbo”, proto-rapin “The Monkey” dhe të mbushurën me nënkuptime “My Ding A Ling”, ndërkohë që nxori edhe debutimin e vetëm të Lloyd Price më 1952 “Lawdy Miss Clawdy”.

Imperial e nxiti Bartholomewin të kthehej më 1952, dhe në vitin 1955 ai dhe Domino do të vazhdonin me një varg hitesh – Dave duke qenë producent dhe bashkëshkrues i këngëve e duke udhëhequr një bend me muzikantë të ndryshëm që tani njihen si pionierë (daullisti Earl Palmer, saksofonisti Lee Allen dhe kitaristi Walter ‘Palpoose’ Nelson). Ata e bënë Fatin superyll dhe kështu e paraqitën para botës. Bartholomew ishte i zënë gjatë gjithë viteve ’50, duke nxjerrë incizime të tij dhe duke shkruar të tjera – ato përfshijnë “One Night” të Smiley Lewis (më vonë hit për Elvis Presleyin), “I Hear You Knocking” dhe “Let the Good Times Roll”.

Në Xhamajka produksionet e Bartholomewit ishin tejet të popullarizuara dhe muzika e hershme “ska” u zhvillua drejtpërdrejt nga New Orleans R&B. Invazioni britanik që nisi me “Beatlesat” në fund të vitit 1963 i largoi dëgjuesit nga muzika e ngrohtë e New Orleansit në të cilën Bartholomew ishte i specializuar, kurse të njëjtin vit Chudd ia shiti Imperialin “Liberty Recordsit”. Bartholomewi vazhdoi të punonte si producent dhe udhëheqës bendi – sapo Domino nisi koncertet gjithandej botës Bartholomewi ishte në krye të bendit të tij magjepsës – por, në fund të viteve ’60 iu kthye prapë punëve të tij.

Ai ka kredi për më shumë se 4 mijë këngë dhe disa prej tyre u bënë tejet fitimprurëse. Në dekadat e fundit ai udhëhoqi bendin e tij të jazzit “Dixieland”, duke luajtur muzikën që e kishte mësuar nga i ati i tij, një djalosh i New Orleansit deri në fund. Dhuntia e paskajshme muzikore e Bartholomewit është lidhur me vetëbesimin dhe disiplinën e tij. Ai ia doli mbanë në një kohë të segregimit të skajshëm racial dhe marrëveshjeve egërsisht shfrytëzuese, por asnjëherë nuk e humbi kontrollin e publikimeve që donte t’i merrte. Një gjatosh, burrë krenar, ai e bëri të tijën – u prehsh në paqe, zoti Big Beat!/ The Guardian.