Dashuria për njeriun dhe ata që kontribuan për vendin

2 muaj më parë

Dashuria për njeriun dhe ata që kontribuan për vendin

Vështrim

Shkruan: Zeqir Bekolli

Shqipe Hasani: ”Mos hesht zëri im”, përmbledhje me poezi botoi ShB “Lena”, 2020


Shqipe Hasani, radhitet në mesin e poeteve, që seriozisht e kanë marrë trajtimin, nëpërmjet vargut, të dashurisë për njeriun, në veçanti për ata të cilët në një mënyrë ose tjetër u sakrifikuan apo kontribuan që ky vend të frymojë lirshëm. Tashmë e njohur në fushën e poezisë, Hasani, iu ka qasur vargut qyshkur ishte e re, për të arritur një nivel që vargjet e saja të lexohen me endje.

Një përkushtim i saj hetohet te përmbledhja “Mos hesht zëri im”, që përbëhet prej gjashtë kapitujve me 94 poezi. Që në nismë të kësaj përmbledhjeje, del në shesh dashuria për njeriun, për prindërit dhe për ata që kontribuan për ditë më të mira për vendit tonë. Në poezinë që i paraprinë kësaj përmbledhjeje me titull “Babait”, ajo, përshkruan sakrificën jetësore të babait për ta mbajtur familjen ndër mote. Ndaj, vëllezërve të saj u lë porosinë që ta vazhdojnë punën “Aty ku fundi i rrugës ishte shtruar me djerset e tij”, me djerset e babait.

Nëpërmjet simbolikës dhe në stilin e saj poetja do t’i këndojë sakrificës së madhe të Prekazit dhe kryepersonazhit të saj Adem Jasharit dhe simbolikës së Natës së Zjarreve, e cila shndritë edhe “nëpër linjat e pëlhurta të Prekazit”.
Duke u munduar të mbajë një baraspeshë politike, te poezia “Ndjej se je gjallë”, ajo mes tjerash dëshiron të tregojë se ndjen një respekt ndaj Ibrahim Rugovës dhe kontributit të tij, duke e quajtur edhe “Engjëlli im”.

Duke qenë edhe vet në vijën e parë të “frontit”, në këtë periudhë të pandemisë, Shqipja iu këndon mantilbardhëve, kolegëve të saj që në këtë ditë të vështira për njerëzimin, bëjnë të pamundurën për t’i shpëtuar njerëzit e herë-herë bien edhe vet viktimë.

Mantilbardhët si muza të hyjnive
Njëzet e katër orë në këmbë si n’ log të betejës
Shërojnë dhimbje, shuajnë ethet e dergjës.

Se ajo kishte konsideratë edhe për kolegët e saj poetë, dëshmon poezia “Një uratë, një kujtim, një lutje”, që i kushtohet intelektualit dhe anëtarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, tash i ndjerë, Avdyl Kadollit, ku nëpërmjet vargut shpreh respektin, njëkohësisht edhe dhembjen për kolegun e poetin e vyer të kësaj Lidhjeje. Mbi të gjitha, vlen të vlerësohet poezia “ Kantatë dhembje ”,që i kushtohet njërit prej figurave më tragjike të periudhës së pasluftës, studentit Astrit Dehari, i cili në rrethana enigmatike u likuidua në burgun e Prizrenit, për shkak të bindjeve të tija politike, “ Për një buzëqeshje që priti stinë të re”.

Te “Kodi i arsyes”, si çdo njeri edhe ajo shpreh një vetëbesim të atyre përmasave në hapësirë e kohë duke dëshmuar prejardhjen dhe lashtësinë si pjesëtare e kombit që i takon:”

Jam shqiponjë që jetoj treqind vjet,
Mbi fiset ilire më rri trupi”

Për dallim prej kësaj, te “Kodi i durimit” hetohet zëri kryengritës i saj duke thënë se nëse “…është durimi , qëllimi i të gjallëve lutem që të vdesin sonte”, sepse padrejtësitë dhe dhuna po vazhdon, përballë “…premtimeve për liritë, në kohën kur nënat dhe fëmijët vuajnë për së gjalli…”. Zëri kryengritës i saj vërehet edhe te poezia “Dua të flas”, ku shpreh pakënaqësinë e saj për “Kufijtë që po ia kafshojnë”, por edhe për rininë “që hapin portat e huaja”. Me një fjalë, largimin e brezit të ri me të drejtë e cilëson si tragjedi me të cilën po përballet populli ynë, për shkak të keq qeverisjes dhe vrasjes së shpresave ndaj këtij brezi.

Respekti për ata që dhanë më të shtrenjtën, jetën, për lirinë e vendit, vërehet edhe te poezia “Diell mbi varrin e ushtarit”, për të cilin thotë se:

Prita ta shoh të gjallë,
Përtej gozhdëve që thyenin dyert e lirisë,
Atje ku nënë-toka, lindë dhe rritë lulëkuqe.

Këtë dashuri dhe respekt për dëshmorët do ta dëshmojë edhe me vargjet e poezisë “Letër e atyre që ranë” duke ju drejtuar me vargjet:

“Mos i humbni shpresat, se një ditë do të rilindni”.

Ashtu siç brengosej në këtë përmbledhje për kufijtë e Kosovës, Hasani këtë brengë e ka edhe për kufijtë e shqiptarisë si te poezia “Si shkundet muzgu i Çamërisë”, ku “Vyshkën pyjet dhe udhët pluhurosen” dhe “Çamëria më rri në qepallë loti”. Në vargun e brengave të saja, janë edhe të pagjeturit që rrinë varur mbi ndërgjegjen tonë, si “Vikamë e molisur para botës”, …“Derisa gjej bijtë e mi”, “Te porta e lirisë ende i mbaj rrobat”.

Krahas vlerës, që hetohet në këtë përmbledhje e që meriton të vlerësohet, Hasani përmbledhjen pak e rëndon me emra kontributi i të cilëve nuk mund të matet me ata që përballen drejtpërdrejt me pandeminë. Ajo dhe Shtëpia Botuese është dashur t’i kushtonin pak më shumë drejtshkrimit, që në shumë raste lëngon me të tilla lëshime.