Danezët të interesuar për ndërtimin e një fabrike në Skenderaj

1 javë më parë

Danezët të interesuar për ndërtimin e një fabrike në Skenderaj

Komuna e Skenderajt mund të bëhet së shpejti me fabrikë të duhanit, pasi që disa biznesmenë danezë kanë shprehur interesimin e tyre për të investuar në këtë komunë.

Qytetarët e komunës së Skenderajt luten që ky projekt i premtuar nga investitorë danezë dhe kryetari Bekim Jashari të mos e ketë fatin e fabrikës së sheqerit dhe të parkut teknologjik, pasi që të dyja projektet kanë dështuar edhe pas nënshkrimit të marrëveshjeve dhe të kontratave me kompaninë britanike “DarkStar”, përkatësisht “Tehnopolis”-in slloven.

Bjerne Christensen dhe Klaus Jakobsen nga Danimarka, të shoqëruar nga një biznesmen shqiptar i kësaj ane në Danimarkë, Naim Kadishani, kanë takuar të dielën kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari. Ata kanë diskutuar për mundësinë e investimeve në këtë pjesë të Drenicës për ndërtimin e një fabrike të duhanit.

Sipas kryetarit të Skenderajt, projekti nëse do të realizohet ka koston prej 7 milionë eurove, ndërsa në këtë fabrikë do të punësoheshin nga 2500 deri në 3000 punëtorë. Jashari ka premtuar se do t’i ndajë 3.5 hektarë tokë komunale në Kryshevc, të cilat sipas Jasharit janë pronë e Komunës, për ndërtimin e fabrikës.

Sipas tij, fabrika do të ketë edhe tokë për kultivimin e duhanit për nevojat e fabrikës, ndërsa i ka siguruar investitorët danezë se do të kenë siguri të plotë dhe mbështetje në investim për realizimin e këtij projekti milionësh./Zëri/