Challandes i liron nga Kombëtarja lojtarët e Prishtinës

3 javë më parë

Challandes i liron nga Kombëtarja lojtarët e Prishtinës

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, i ka liruar nga grumbullimi lojtarët e Prishtinës, për shkak të përfshirjes së kampiones së Superligës në parakualifikime për Ligën e Kampionëve.

Gledi Micit, Endrit Krasniqit, Leonit Abazit dhe Lumbardh Dellovës u ftuan për herë të parë në Kombëtare për dy ndeshje miqësore që Kosova do t’i zhvillojë kundër Guinesë dhe Gambisë javën e ardhshme, raporton Express.

Por ata duhet të jenë në këtë kohë në përgatitje me skuadrën për ndeshjet parakualifikuese që nisin më 22 qershor.

Prishtina ka bërë kërkesë që ata të lirohen dhe FFK-ja njofton se një gjë e tillë i është pranuar.

“Me kërkesë të FC Prishtina dhe me qëllim të përkrahjes së klubeve tona për paraqitje sa më të mirë në garat evropiane, përzgjedhësi Bernard Challandes ka vendosur të lirojë nga grumbullimi i paraparë me Kombëtaren katër futbollistët e skuadrës kampione të Kosovës, e cila ka nisur përgatitjet për pjesëmarrje në parakualifikueset e Ligës së Kampionëve”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Kërkesa e klubit ka ardhur pas publikimit të listës dhe disa ditë pasi FFK ua ka dërguar ftesat Gledi Micit, Endrit Krasniqit, Leonit Abazit dhe Lumbardh Dellovës, për dy miqësoret që do të zhvillohen në Antali kundër Guinesë dhe Gambisë” thuhet tutje në njoftim.

Prishtina bashkë me HB Tórshavn, Folgore dhe Inter Club d’Escaldes janë pjesë e fazës parakualifikuese. Kampionia e Kosovës do të përballet me Folgore apo Inter Club s’Escalades në një ndeshje gjysmëfinale dhe nëse fiton do të takohet me fituesin e gjysmëfinales tjetër në një ndeshje finale më 25 qershor.

Fituesi kalon në rundin e parë kualifikues për një vend në edicionin 2020/21 të garës më prestigjioze evropiane për klube. /Express/