Çfarë ndikon tek prindërit amerikanë në zgjedhjen e emrit të fëmijës

4 javë më parë

Çfarë ndikon tek prindërit amerikanë në zgjedhjen e emrit të fëmijës

Emri “Emma” është një emër që mbizotëron në shtetet e Bregut Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, ndërsa emri “Liam” në ato të Midwest-it Amerikan.

Në pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara, prindërit preferojnë emrin Uilliam për djemtë dhe Ava për vajzat, sipas Administratës së Sigurimeve Shoqërore, që përpiloi një listë me emrat më të përhapur të foshnjeve për vitin 2018, shkruan VoA, transmeton AktivPress.

Në krye të listës në mbarë vendin janë emri “Liam” për djemtë (për të dytin vit me radhë) dhe “Emma” për vajzat (për 5 vjet rresht). Emrat “Noe” dhe “Olivia” vijnë në vendin e dytë.

Ndërsa vënia e emrit të një fëmije mund të duket si një nga vendimet më personale që një person mund të bëjë, kjo zgjedhje shpesh është e ndikuar shumë nga faktorë të jashtëm.

“Emrat kanë më shumë kuptim për prindërit sesa për fëmijët,” tha për Zërin e Amerikës Jonah Berger, profesor marketingu në Wharton School të Universitetit të Pensilvanisë.

Bota e sotme e ngopur me mediat digjitale do të thotë që prindërit e rinj kanë akses tek një numër shumë më i madh emrash, nga sa kanë patur prindërit kurrë më parë. Prindërit mund të ndikohen nga njerëz të famshëm, apo personazhe nga filma dhe shfaqje televizive.

Për shembull, emri “Arya”, një person i dashur në serinë televizive “Game of Thrones”, renditet i 119-i në listë, para emrave tradicionalë si “Angela” (264), “Jennifer” (345) dhe ” Alexis “(179).

“Khaleesi”, një tjetër personazh – ikonë i serialit, ishte emri më i njohur i 549 për vajzat e porsalindura në vitin 2018, duke ia kaluar emrave si “Liza” (891), “Christine” (926) dhe “Anne” (599).

“Gjithnjë e më shumë, prindërit mund të mendojnë se dëshirojnë – dhe janë në gjendje të bëjnë zgjedhjet e tyre për emrin e fëmijëve, si shprehje e ndjenjës së individualitetit dhe dëshirës për t’i dhënë një tipar unik tek fëmijëve të tyre “, thotë sociologia Jane Pilcher, në Universitetin e Nottinghamit në Angli.

Ajo i referohet emrave të njerëzve si “kafshë pune”, sepse ato mund të zbulojnë informacione të rëndësishme për një person. Por kjo gjithashtu mund të ketë anën e vet negative, thotë sociologia.

“Emri mund të na tregojë për seksin dhe gjininë e një personi, përkatësinë etnike, kombësinë, si dhe klasën shoqërore “, thotë Jane Pilcher. “Për fat të keq, këto identitete sociale janë secili të lidhura me diskriminimin dhe pabarazinë. Pra, emri mund të ndikojë shumë në përvojat dhe mundësitë e një personi “.

Një studim i vitit 2012 zbuloi se kur fakulteti i shkencës nga universitetet kërkimore i dha aplikime identike për një pozicion si menaxher të laboratorit, kandidatët me emrin “John” vlerësoheshin më shumë se kandidatët me emrin “Jennifer”.

Emri i një personi shpesh pasqyron kulturën nga ia vjen dhe është një tregues për vendin dhe kohën kur kanë jetuar, si dhe të tendencave kryesore sociale në kohën kur ata kanë lindur.

Studiuesi Berger i Universitetit të Pensilvanisë zbuloi se emrat që fillonin me “K” u bënë më të përhapura pasi uragani Katrina shkaktoi dëme katastrofike në New Orleans në vitin 2005. Prindërit e dëgjuan emrin në lajme kaq shpesh, saqë ai u bë më tërheqës.

“Dëgjimi i një emri më shpesh i bën njerëzit ta pëlqejnë më shumë, por nëse diçka është shumë popullore, njerëzit e shmangin atë”, thotë Berger. Pra, në fund të fundit, prindërit kërkojnë komoditetin e familjaritetit, ndërkohë që kërkojnë gjithashtu një emër që dallohet nga të tjerët.

Në Britani, Meghan Markle dhe bashkëshorti i saj, Princi Harry, kohët e fundit e quajtën djalin e tyre Archie, një emër që u rendit në vendin 992 në Shtetet e Bashkuara në vitin 2018. Mbetet të shihet nëse ky emër i përdorur nga familja mbretërore mbretërore do të ndikojë tek popullaritet i emrit Archi në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2019.