Çfarë është Meta, emri i ri i Facebook-ut

1 muaj më parë

Çfarë është Meta, emri i ri i Facebook-ut

Shefi i gjigantit amerikan “Facebook”, Mark Zuckerberg, ka njoftuar se e ka ndryshuar emrin e kompanisë. Ky ndryshim është pjesë e një plani të madh të firmës për zhvillimin e një bote virtuale, por kritikët thonë se kjo është një përpjekje për ta larguar vëmendjen nga kundërthëniet e fundit.

A do të ndërrojë vërtet emri “Facebook”?

Kompania “Facebook” e ka ndërruar emrin në “Meta”, por aplikacioni si rrjet social do ta ketë përsëri emrin e vjetër, shkruan faqja australiane e lajmeve, Abc.net.

Çfarë është “metaverse”?

Emri i ri është marrë nga fjala “metaverse”, që përdoret për të përshkruar një botë virtuale, në të cilën mund ta fusni veten dhe të bëni – në teori – pothuajse gjithçka.

Filmat si “Matrix”, “Ready Player One” dhe “Tron” e eksplorojnë këtë koncept, i cili shpesh paraqitet si sistem i korruptueshëm, ku strehohen njerëzit që jetojnë në një shoqëri distopike, transmeton Gazeta Express.

Zuckerberg ka thënë se “metaverse” do të jetë një vend ku njerëzit mund të ndërveprojnë dhe të punojnë dhe ai pret që rrjeti ta arrijë shifrën e një miliard njerëzve brenda disa dekadave.

Ndonëse nuk pret që të fitojë para nga ky projekt në aspektin afatshkurtër, por miliarderi amerikan nuk e përjashton si ide.

“Ky nuk është një investim që do të jetë fitimprurës për ne në asnjë kohë në të ardhmen e afërt, por besojmë se metaverse do të jetë pasardhëse e internetit mobil”, tha ai.

Cili është kuptimi i fjalës “meta”?

“Meta” është parashtesë, që e ka kuptimin “pas”, “përtej” ose “ndryshe”, domethënë diçka që operon përtej një niveli të caktuar. Për shembull, fjala “metamorfozë” përdoret për ta përshkruar ndryshimin e formës së diçkaje.