Çfarë duhet të përfitojë Kosova nga Samiti i Triestes?

3 vite më parë

Çfarë duhet të përfitojë Kosova nga Samiti i Triestes?

Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Triestes mund të sjell leverdi për Kosovën sa i përket integrimit ekonomik, mirëpo për thithje fondesh nga ky Samit duhet të behët një ekspertizë shkencore dhe plane të detajuara të fizibilitetit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë për Ekonomia Online se Kosova nuk duhet të kënaqet vetëm me pjesëmarrje në këtë Samit, por duhet të mendojë për benefitet potenciale që mund t’i përfitojë.

Gërxhaliu ka thënë se Samiti i Triestes kishte synim integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor e njëkohësisht zbehjen e ndikimit rus në këtë hapësirë.

“Definitivisht Samiti i Triestes është një dëshmi që Evropa pretendon që Ballkanin Perëndimor ta përgatis duke e mbështetur në aspektin ekonomik dhe integrimi në mënyrë që integrimi ekonomik të jetë udhërrëfyes politik. Gjithashtu tregohet një gatishmëri e Evropës që përmes fuqizimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor ta distancojë praninë dhe influencën ruse në këtë hapësirë”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij edhe pse ky Samit ngërthen në vete rëndësinë ekonomike, nga Kosova nuk duhet të merret me euforizëm.

“Edhe pse ky samit ka rëndësinë e vet, ne si Kosovë nuk duhet të jetojmë në atë euforinë apo në kënaqësinë se është mbajtur Samiti, por duhet ta kuptojmë vërtetë esencën e procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit është një mundësi dhe për të shfrytëzuar këto mundësi duhet të përgatitemi brenda për brenda shtetit tonë. Fati i integrimeve, fati i shfrytëzimit të atyre mundësive të procesit të Berlinit janë në duart tona”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se duhet ta kuptojnë rëndësinë e këtij institucioni dhe të mësojnë nga përvoja e vendeve të rajonit.

I pari i OEK-ut ka thënë se tashmë krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja është e rëndësishme, në mënyrë që të ecët përpara me agjendën ekonomike.

“Unë besoj se kishte me qenë e rrugës në rendë të parë të kuptohet rëndësia e krijimit të institucioneve, në rend të dytë të mësojmë nga përvoja e vendeve të rajonit të cilat janë mjaft agresive rreth agjendës evropiane dhe një mesazh që duhet të jetë përmes juve është që më në fund të kuptohet se mbi të gjitha është shteti dhe jo mbi shtetin interes e grupeve të caktuara politike ose interesave te partive politike”, deklaroi ai.

Gërxhaliu ka thënë se vet fakti që Kosova ka qenë e përfaqësuar nga niveli më i lartë shtetëror në këtë Samit hap mundësinë për të qenë përfituese e fondeve investive, mirëpo për këtë shton se duhet shumë punë dhe angazhim institucional.

“Besoj se në këtë drejtim nuk kemi shumë argumente për t’u lavdëruar. Është e vërtetë që është nënshkruar një Memorandum i Bashkëpunimit me Bankën Inventive Evropiane, por duhet të nënkuptohet që në këndin e lartë që nga komisionari Hanh është paralajmëruar është një mekanizëm për të absorbuar këto mjete dhe ky mekanizëm është studimi i fizibilitetit. Biznes plani dhe analiza ekonomike të bazuara në sundim të rendit dhe të Ligjit dhe një ekspertizë shkencore”, ka thënë Gërxhaliu.

Në Samitin e Triestes morën pjesë shefat e Qeverive të Shqipërisë, Kosovës, Bosnjes, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Ndërsa Diskutimet u fokusuan në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal: 1) Lidhshmëria, 2) Integrimi rajonal ekonomik/zhvillimi i sektorit privat dhe 3) Kontaktet mes njerëzve.