Çeku 6 milionë dollarësh i Pacollit për UÇK-në

4 vite më parë

Çeku 6 milionë dollarësh i Pacollit për UÇK-në

Oficeri i lartë i ushtrisë shqiptare që drejtoi brigadën 153 të UÇK-së, Adem Shehu, ka folur edhe për aderimin e tij në Aleancën Kosova e Re dhe pritjet e tij nga ky subjekt.

Në intervistën për konica.al, ai ka evokuar edhe momentet e njohjes me vëllain e Behgjet Pacollit, Selim Pacollin, si dhe ndihmën që kompania ‘Mabetex’ ka dhënë për UÇK-në.

“Në vitin 1998, vëllezërit tanë që punonin në Mabetex në Perëndim kanë dërguar mjete financiare në dispozicion të UÇK-së. Ky çek më vlerë 6 milionë dollarë ka ardhur në Tiranë nëpërmjet bankës, me qëllim blerjen e armatimit të shtetit shqiptar”, ka thënë Shehu.

Ish-komandanti i Brigadës 153 që zhvilloi luftime me forcat serbe në zonën e Gollakut, ka sqaruar se edhe vetë ishte përfshirë në zbatimin e kërkesës së ‘Mabetex’-it për blerjen e armatimeve.

“Këtë çek dhe interesimin për zbatimin e kësaj kërkese e kisha marrë vetë. Kam biseduar, por nuk merrja përsipër kushtet teknike që diktonin hajdutët shqiptarë”, ka theksuar Shehu.