Bulliqi e Isufi e kritikojnë vendimin e Hotit për shkarkim të Komisionit për Kufijtë

1 muaj më parë

Bulliqi e Isufi e kritikojnë vendimin e Hotit për shkarkim të Komisionit për Kufijtë

Përbërje të re do të ketë Komisioni për Shënjimin e Kufirit, pas shkarkimit të anëtarëve të emëruar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj tre vjet më parë.

Duke mos treguar më shumë detaje, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti.

Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur të mërkurën e javës së shkuar, ekzekutivi shfuqizoi dy vendime të Qeverisë Haradinaj. Atë të 22 shtatorit 2017, kur u emërua përbërja e re e Komisionit dhe plotësimin e tij në maj të 2019-s, raporton KOHA.

Shkarkimin e anëtarëve të Komisionit e kanë kritikuar ish-anëtarët e tij.

Sipas ish-kryesuesit Shpejtim Bulliqi dhe ish-anëtarit Florim Isufi, shfuqizimi i vendimeve të Haradinajt ka qenë i panevojshëm dhe politik.

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, me theks të veçantë është marrë me procesin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, pas marrëveshjes së ratifikuar në Kuvend.

Që nga ratifikimi i saj, në mars të vitit 2018, e deri më tani nuk është lëvizur fare sa i përket demarkimit të kufirit me Malin e Zi në teren.