Britaniku shpenzon 30 mijë funte për ta kundërshtuar gjobën e 100 funteve

1 javë më parë

Britaniku shpenzon 30 mijë funte për ta kundërshtuar gjobën e 100 funteve

Një inxhinier i pensionuar nga Britania e Madhe ka thënë se i ka shpenzuar 30 mijë funte të kursimeve të veta në luftën e tij për drejtësi lidhur me një gjobë prej 100 funtesh për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.

Richard Keedwell, 71 vjeç, tha se sistemi i brishtë i drejtësisë e detyroi që ta kundërshtojë gjobën e dhënë nga policia. Ai është duke u përballur me autoritetet qe tri vjet dhe është detyruar të marrë para edhe nga kursimet që kishte planifikuar t’ua linte trashëgim djemve të vet.

Ai thotë se është dënuar pa të drejtë për vozitje me shpejtësi prej 35 miljesh në orë (56 kilometra në orë) në një zonë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 30 milje në orë (48 kilometra në orë) në qytetin Worcester më 2016.

Keedwell thotë se nuk ka qenë duke vozitur me shpejtësi më të lartë se 30 milje në orë në rrugën “New Road” në nëntor të vitit 2016. “Isha shumë i befasuar kur disa ditë më vonë më erdhi njoftimi për paraqitje në gjykatë. Nuk mund të besoja se e kam tejkaluar shpejtësinë”, tha ai.

Britaniku e angazhoi një ekspert të videove dhe pajisjeve elektronike, i cili tha në gjykatë se radari me kamerë mund të jetë aktivizuar nga ndonjë veturë që ka qenë shumë afër të personit të dyshuar për shkelje ose ka mundur të jetë i prishur.

Ish-inxhinieri tha se deri tash i ka shpenzuar 21 mijë funte për t’i paguar avokatët dhe rreth 7 mijë funte për shpenzimet e gjykatës, ndërsa shpenzime ka pasur edhe për të udhëtuar në gjykatë, shkruan “BBC”, transmeton Express.