Brahimaj-Mustafës: Pse s’na tregove që Haradinaj ishte në listën e të kërkuarve të INTERPOL-it

3 vite më parë

Brahimaj-Mustafës: Pse s’na tregove që Haradinaj ishte në listën e të kërkuarve të INTERPOL-it

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj e ka quajtur të pakuptimtë arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë, në bazë të një flet-arresti të vitit 2004 të lëshuar nga Serbia. Ndërsa të pakuptimtë dhe jo serioze e konsideron heshtjen e institucioneve të vendit lidhur me mosnjoftimin e personave që aktualisht i posedon INTERPOL-i për kërkim, e që pjesë e saj ishte edhe ish-kryeministri Haradinaj.

Ditë më parë, zv/ministrit i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa tha se janë vetëm njëzet ish-pjesëtarë të UÇK-së të cilët ende kërkohen nga Interpol-i. E kjo deklaratë ka nxitur reagimin e deputetit Brahimaj. Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka lënë ta hapur mundësinë se për ndalimin e Haradinajt mund të ketë gisht edhe dikush nga Prishtina.

“Diçka mundet me pas, por s’mundem me paragjyku. Ju e dini se zv/ministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa ka thënë se me datën 16/12 kanë dërguar kërkesë përmes zyrës ndërlidhëse në kuadër të UNMIK-ut për t’i hequr edhe 20 emra nga lista e Ineterpol-it.  Pra, në bazë të kësaj deklarate, Qeveria e Kosovës ka negociuar për t’i hequr 137 emra nga lista dhe kanë mbet 20 emra. Dmth, qeveria e ka ditur kush janë 20 emra dhe nuk i ka njoftuar që të keni kujdes për arrestim.  Ata e kanë ditë saktë se kush janë ato 20 emra. Unë si Lahi dhe AAK i gëzohemi çdo heqje të emrit të ushtarëve të UCK-së nga ato lista, por ato kanë negociuar”, ka thënë ai, /Indeksonline.

Megjithatë, Brahimaj thotë se shtyrja për 2 mars të seancës ndaj liderit të AAK-së është e keqe e madhe për Kosovën. Sipas tij, pafajësia e Haradinajt është dëshmuar në gjykatën ndërkombëtare (Tribunali Hagës) dhe flet-arresti i vitit 2004 është para se ai të shkonte në Hagë, mars të vitit 2005.

“Është e pakuptim që me flet-arrest të ndalet dhe të mbahet kaq gjatë. Tani ndodhin këto zhagitje që janë bukur të çuditshme. Gjykata e Francës është thirr në fakte juridike mirëpo duhet të bëhet në procedura më të shpejtuara”, ka thënë ai.