Bosnja akuzon Kroacinë se u përpoq të armatoste islamistët në Sarajevë

6 ditë më parë

Bosnja akuzon Kroacinë se u përpoq të armatoste islamistët në Sarajevë

Prokurorët boshnjakë do të hetojnë pretendimet e mediave se inteligjenca dhe diplomatët kroatë janë përpjekur të armatosin islamistët ekstremistë në Bosnje, tha të enjten zyra e kryeprokurores së Bosnjes.

Gazeta Zurnal njoftoi të mërkurën se oficerët kroatë të inteligjencës janë përpjekur të rekrutojnë pasuesit e degës së Selefit të Islamit për të kontrabanduar armë me xhamitë e tyre në Bosnje.

Kroacia ka mohuar këto akuza.

“Një prokuror në departamentin e posaçëm për krimin e organizuar, krimin ekonomik dhe korrupsionin do të ndërmarrë aktivitete urgjente për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe pretendimet në media lidhur me rekrutimin e pretenduar të anëtarëve të lëvizjes Selefit për kontrabandën e armëve në Bosnje”, tha zyra në një deklaratë.

Agjencia e Sigurisë dhe e Inteligjencës e Kroacisë i hodhi poshtë akuzat si “të rreme”. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se këto pretendime janë “marrëzi”.

“Unë e hedh poshtë plotësisht këtë pretendim”, u tha Plenkoviç gazetarëve në qytetin boshnjak të Neumit.

Zurnal tha se një zyrtar i qeverisë boshnjake dhe një gazetar i lidhur me një diplomat kroat që shërbente në Bosnje, ishin të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme./AktivPress