Bizneset në kryeqytet pritet të ndihmohen me tetë milionë euro

2 javë më parë

Bizneset në kryeqytet pritet të ndihmohen me tetë milionë euro

Nga buxheti prej më shumë se 91 milionë euro, komuna e Prishtinës ka shpenzuar 40% të tij, përderisa deri në fund të vitit planifikohet që të shpenzohen rreth 60% e këtij buxheti.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, tha se buxheti i planifikuar për vitin 2021 është i shkurtuar dhe e ka vlerën prej 85 milionë e 792 mijë euro.

Përderisa ai ka konfirmuar nga 29 milionë euro të hyra të planifikuar janë realizuar 61% deri më tani.

“Ato që kemi arritur deri më tash e që tregon rezultat jashtëzakonisht të mirë janë të hyrat e realizuara 65% përkundër që kemi pasur edhe disa shkurtesa. Në sektorin e tatimit në pronë me qëllim të përshpejtimit të marrjes së vërtetimit mbi taksën rrugore me rastin e regjistrimit të automjetit ne patëm marrë vendimin prej 1 gushtit që të përshpejtohet ajo procedurë dhe që të mos kërkohet pjesa e tatimit në pronë edhe për anëtarët e familjes tjetër por vetëm për pronarin e automjeteve. Kjo ka dhënë rezultat dhe janë eliminuar tollovit që i kemi pasur por qytetarët janë treguar të vetëdijesuar rreth pagesës së tatimit në pronë”, tha Nushi në një intervistë për Ekonomia Online.

“29 milionë të hyra janë të planifikuara për këtë vit dhe 61% vetëm deri tash është realizuar. Mirëpo ngecje për këtë vit kemi vetëm te shpenzimet sepse buxheti është shpenzuar afër 40%, dhe me këtë ritëm të punës po besoj që do të arrijmë te 60% të shpenzimit të buxhetit sa i përket këtij viti. Sa i përket buxhetit të vitit 2021 është i shkurtuar dhe e ka vlerën prej 85 milionë e 792 mijë euro”.

Mes tjerash, nënkryetari Nushi tha se që nga muajin korrik ka kaluar propozimi i kryetarit të Komunës Shpend Ahmeti që bizneset të ndihmohen me një pako ekonomike prej 5 milionë eurove, por ende nuk është implementuar.

Ai shtoi se ka kërkuar që bizneset të ndihmohen edhe me 3 milionë euro të tjera.

“Deri më tash nuk është implemtuar edhe pse është aprovuar sepse po trajtojmë që kjo vlerë nuk mjafton për mbulimin e shpenzimeve të cilat i kemi parashtruar në grupin punues të zhvillimit ekonomik. Numri i bizneseve aktive në komunën e Prishtinës është 19 mijë e 142 biznese. Nga këto biznese duhet të eliminohen ato që kanë operuar siç janë bankat, pompat e benzinës, barnatoret të cilët nuk mund të hyjnë së bashku me ata të cilët nuk kanë funksionuar gjatë kohës së pandemisë”.

“Nëse eliminojmë këto kode ekonomike atëherë mund të vijmë në një numër prej 12 mijë biznese të cilat duhet të shpërblehen me këtë 5 milionë do të shpërndahen gjatë 3 mujve në vijim. Unë kam kërkuar nga kryetari që të ndihmohen edhe me 3 milionë të tjera që të bëhen 8 milionë në mënyrë që tu dalim në ndihmë bizneseve tona”, tha ai.

Ai foli edhe sa i përket projektit për kamerat e sigurisë në sheshin e Prishtinës, ku sipas tij, kostoja është 72 mijë e 800 euro.

Sipas tij, këto kamera janë vendosur për sigurinë e qytetarëve.

“Është mbuluar komplet sheshi prej sheshit Ibrahim Rugova deri te përfundimi i sheshit Zahir Pajaziti. Poashtu me këtë projekt e kemi mbuluar edhe sheshin Adem Jashari, pjesën e komunës së vjetër, por edhe pjesën e komunës së re”.

“Qendra për monitorim që funksionon në kuadër të drejtorisë për shërbime publike dhe që është e vendosur në pjesën e komunës së Prishtinës bënë monitorimin e përditshëm të këtyre incizimeve që janë kamera të sofistikuara të cilat janë vendosur për siguri të qytetarëve”.