Bizneset mirëpresin krijimin e Gjykatës Komerciale

1 muaj më parë

Bizneset mirëpresin krijimin e Gjykatës Komerciale

Jahir Morina, afarist nga Kosova, ka mbi një dekadë që ka konteste gjyqësore për dy biznese të tij dhe ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare. Ai tregon se neglizhenca në sistemin e drejtësisë, sa i përket zgjidhjes se kontesteve ekonomike, i ka kushtuar me humbje milionëshe.

Shpresa e tij për zgjidhjen e këtyre lëndëve, është te krijimi i Gjykatës Komerciale të Kosovës. Qeveria e Kosovës, të martën, (22 qershor) ka miratuar projektligjin për krijimin e kësaj gjykate.

Në bazë të këtij projektligji, të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet biznesore, do të jenë kompetencë e Gjykatës Komerciale.

Krijimi i kësaj Gjykate është një ndër çështjet më të rëndësishme që po ndodh në dy dekadat e fundit, në aspektin ekonomik në vend, thotë Jahir Morina, pronar i kompanisë “Princesha” që merret më ndërtimin e ndërtesave të larta.

“Ne kemi edhe dy kompani tjera që posedojmë që nga viti 2014 dhe jemi në procedura gjyqësore me institucione të ndryshme të Kosovës. Të dyja kompanitë llogariten të jenë të falimentuara, për shkak të moszgjedhjes së kontesteve. Flasim për 6-7 milionë euro për 15 vjet. Do të thotë dëmet janë ekstremisht të mëdha në biznese dhe ekonomi, për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Komerciale”, tha Morina.

Gjykata Komerciale do t’i ketë dy shkallë

Në projektligjin për Gjykatën Komerciale, të cilin e posedon Radio Evropa e Lirë, thuhet se çdo person ka të drejtë t’i drejtohet kësaj Gjykate për të kërkuar mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të tij/saj ligjore, për aq sa veprimet për të mbrojtur ose zbatuar ato të drejta, janë brenda kompetencave të Gjykatës Komerciale.

Kjo Gjykatë do të funksionojë si gjykatë e specializuar, e ndarë në dy shkallë (Themelore dhe të Apelit), kompetente për gjykimin e kontesteve për çështjet komerciale dhe administrative në çështje komerciale, si dhe do të trajtojë kundërshtimet dhe ankesat në procedurat përmbarimore.

Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët kanë sponsoruar këtë projektligj, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se “besojnë se Gjykata Komerciale, në cilësi të gjykatës së specializuar, do ta rrisë efikasitetin dhe efektivitetin në shqyrtim dhe vendosjen e kontesteve, ku palë në procedurë janë bizneset.”

Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, tha se krijimi i Gjykatës Komerciale, do të rrisë efikasitetin e trajtimit të lëndëve të bizneseve, njëherësh procedura më të shpejta dhe cilësore.

Përfitimi kryesor nga themelimi i kësaj Gjykate, sipas tij, është që të gjitha kontestet ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe afaristëve, do kenë një adresë.

Rastet e kontesteve biznesore vonohen deri në 15 vjet

Moszbatimi i kontratave, vonesat në pagesa, problemi me pronat, janë disa nga mosmarrëveshjet ndërmjet bizneseve në Kosovë.

Njëherësh sipas Shahinit, duke zgjidhur kontestet me procedura më të shpejta se me procedurat standarde gjyqësore, Kosova krijon siguri më të madhe edhe për investitorët e huaj.

“Kjo Gjykatë do të mundësojë edhe shkurtimin e afateve kohore të kontesteve, sepse vitet e kaluara, ka ndodhur që një kontest në mes operatorëve ekonomikë, ka zgjatur shtatë deri 15 vjet, e që kjo është një e metë e madhe edhe si shtet dhe promovon pasiguri në zgjidhjen e kontesteve”, ka thënë Shahini.

Në projektligj, ndër të tjera thuhet se Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar dhe ka juridiksion ekskluziv për të gjykuar, në Dhomat e shkallës së parë dhe Dhomat e shkallës së dytë, kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, kontestet në mes të institucioneve publike dhe subjekteve private, si dhe kontestet në mes të personave juridikë vendorë dhe të huaj, në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare.

Vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë personat fizikë dhe juridikë. Gjykata publikon të gjitha aktgjykimet në faqen e saj zyrtare të internetit, në afat prej 60 ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Krijimi i Gjykatës Komerciale ishte paralajmëruar edhe nga ish-ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, në Qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Në Kosovë që nga viti 2011, janë hapur disa qendra të arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznesore, të cilat mund të shfrytëzohen për t’i shmangur proceset e gjata gjyqësore.

Qendrat e arbitrazhit funksionojnë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Por, ndonëse në zyrat e arbitrazhit është thënë se kontestet ekonomike mund të zgjidhen brenda një periudhe gjashtëmujore, bizneset kanë hezituar që t’iu drejtohen këtyre qendrave të arbitrazhit dhe numri i rasteve që trajtohen nga këto qendra, vazhdimisht ka qenë i ulët./REL