Bizneset ende nën hije të pandemisë, ndihmat nga Qeveria të pamjaftueshme

1 muaj më parë

Bizneset ende nën hije të pandemisë, ndihmat nga Qeveria të pamjaftueshme

Nga sektori i gastronomisë dhe hotelerisë, thonë se dëmet e shkaktuara nga pandemia akoma janë të parikuperueshme dhe se ndihmat nga Qeveria janë të pamjaftueshme. Që nga fillimi i muajit qershor, sektorit të gastronomisë iu është zgjatur orari i punës deri në ora 23:00. Ndërsa, më 15 qershor, janë hapur sallat e dasmave.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, tha se presin që veprimtaria e tyre të rritet në një shkallë më të lartë pasi ka qenë sektori më i atakuar.

Tutje, ai tha se 220 milionë euro të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ende nuk janë ndarë, dhe shpreson që së paku 20 milionë të shpërndahen për këtë sektor.

“Vet fakti që e kemi zgjatur orarin e punës do të thotë se disa biznese në kuadër të veprimeve turistike mund të themi se kanë fillua me startua mirë por kemi edhe disa biznese do të thotë në kuadër të kësaj veprimtaria prandaj presim që shpejt edhe këto fillojnë që veprimtaria turistike të ec në një shkallë më të lartë, por duke marr parasysh që edhe Ligji për rimëkëmbjen të shpërndahen ato mjete”.

“Ne kemi theksuar edhe më herët, në kuadër të kësaj veprimtarie kjo ka qenë më e atakuar, dhe Qeveria duhet të merr masa më të shpejta dhe ato 220 milionë euro të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ende s’janë ndarë dhe prej atij ne kemi kërkuar së paku 20 milionë dhe nëse ky shpërndahet në mund të themi se gjasat janë të shkojmë nga përmirësim”, tha Sogojeva në një intervistë për Ekonomia Online.

Tutje, Sogojeva tha se numri i turistëve dhe qytetarëve për të frekuentuar vendet e ndryshme të Kosovës ka filluar të rritet, dhe në këtë drejtim janë të kënaqur.

“Shumica e kësaj veprimtari e këtyre bizneseve kanë pasur në një far forme informata prej Odës që do të lëshohet kjo veprimtari me punua dhe janë përgatitjet kanë qenë pak më të shpejta dhe në një formë atë që po e shohim në terren jemi të kënaqur sepse edhe numri i turistëve, pavarësisht a është vendor apo i jashtëm ka filluar të rritet”.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Erton Begat, tha se këta sektorë nuk kanë pasur mbështetjen e duhur dhe ato ndihma të dhëna nuk kanë qenë reale.

“Gastronomia si sektori më i prekur nga masat për parandalimin e pandemisë, e ka vuajtur më shumë për një periudhë më shumë se 1-vjeçare, fatkeqësisht nuk ka pasur suportin e duhur nga shteti sepse masat dhe ndihmat ekonomike të cilat janë bërë për ta nuk kanë qenë ndihma reale por kanë qenë kryesisht një lloj sociali që iu është ofruar atyre, duke e pasur parasysh që edhe si sektor është i pafiskalizuar dhe i paformalizuar, nuk e kanë numrin e saktë të punëtorëve të deklaruar, dhe as numrin e saktë të qarkullimit, prandaj edhe shteti ka pasur vështirësi në këtë aspekt”, tha Bega.

Ai thotë se përpos papunësisë në vend, nga hulumtimet e nxjerra 80% e punëtorëve nuk janë të deklaruar, andaj edhe humbja reale e këtyre vendeve të punës prapë do të jetë e vështirë të përcaktohet.

“Krahas papunësisë së lartë që kemi në vend, hulumtimet e organizatave ndryshme ndërkombëtare tregojnë për një punësim joformal, i cili është kryesisht në sektorin e gastronomisë dhe ndërtimit. Prandaj humbja reale e këtyre vendeve të punës prapë do të jetë e vështirë të përllogaritet saktë, por nga hulumtimet shihet se 80% e punëtorëve nuk janë të deklaruar”, theksoi tutje ai.

Dëmet janë aq të mëdha, sa që edhe ballafaqimi si ekonomi në vend ndikon, thotë Bega.

“Sigurisht që dëmet janë shumë të mëdha, janë të pallogaritshme zyrtarisht për shkak të mungesës së formalizmit të bizneseve dhe nëse ndalemi vetëm tek punësimi shohim që numri i punëtorëve i deklaruar nga ky sektor është shumë i vogël në raport me atë që shohim çdo ditë në kafeteri dhe restorante të ndryshme”.

“Dëmet janë shumë të mëdha, dhe po ashtu ne jemi ballafaqua si ekonomi edhe me atë që qeveritë nuk kanë punuar në strategji dhe me qëllime të sakta që ta shfrytëzojnë këtë krizë për të riorganizuar dhe nxitur ekonominë qoftë në aspektin e rritjes së konsumit apo rritjes së prodhimit. Andaj do të duhet kohë të kthehemi në atë situatë që kemi qenë”, përfundoi Bega.

E jo më mirë nuk kanë qenë edhe bizneset e vogla, të cilët kanë punuar me orar të shkurtuar dhe një kohë nuk kanë punuar fare, dhe dëmet e tyre janë duke i përjetuar akoma./EO