Bie për 34.4% importi në Kosovë krahasuar me periudhën e njëjtë të 2019-s

1 muaj më parë

Bie për 34.4% importi në Kosovë krahasuar me periudhën e njëjtë të 2019-s

Tregtia e jashtme ka pësuar goditje të ndjeshme si pasojë e bllokimit të shumë aktiviteteve ekonomike gjatë pandemisë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importi për muajin prill ka pësuar rënie prej 34.4% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Edhe eksportet kanë pësuar rënie prej 11.5%.

Gjatë prillit u importuan mallra në vlerë 193.9 milionë euro, ndërsa vlera e eksporteve ishte vetëm 32.6 milionë euro. Kjo ka ndikuar në uljen e deficitit tregtar prej 161.2 milionë euro, ku eksporti ka mbuluar importin me 16.9 për qind. Vitin e kaluar deficiti tregtar ishte 258.5 milionë euro, raporton KOHA.

Heqja e tarifës prej 100 për qind për mallrat serbe dhe vendosja e reciprocitetit më 1 prill kanë ndikuar që Serbia të jetë në mesin e importuesve më të mëdhenj në Kosovë. Serbia prin në tregti krahasuar me vendet e CEFTA-s. Vetëm gjatë muajit prill ka importuar mallra në vlerë mbi 15 milionë euro.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, bllokimi i aktiviteteve ekonomike dhe rënia e konsumit kamë ndikuar në uljen e deficitit tregtar.

Por, zvogëlimi i deficitit tregtar, sipas zëvendësministrit në detyrë të Ekonomisë, Edison Jakurti, është lajm i mirë, pasi, siç ka thënë, paratë kanë mbetur brenda Kosovës.

“Kjo është mundësi shumë e mirë që shpenzimi të orientohet drejt prodhimeve vendore. Pra, nëse keni mundësi të zgjidhni mes kursimit dhe blerjes, blini. Dhe, nëse blini, blini produkte vendore”, ka shkruar ai në Facebook.

Partnere e Kosovës në import nga vendet e Bashkimit Evropian ka vazhduar të jetë Gjermania me afro 20 milionë euro mallra. Në mesin e importuesve më të mëdhenj në Kosovë janë edhe Turqia me mbi 21 milionë euro dhe Kina me afro 17 milionë euro.

Ndërsa produktet nga Kosova, ndonëse në sasi të pakta, kanë qenë të pranishme kryesisht në tregun e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Gjermanisë e Zvicrës.