Betimi i ushtrisë shqiptare gjatë pushtimit gjerman (Pamje ekskluzive)

2 vite më parë

Betimi i ushtrisë shqiptare gjatë pushtimit gjerman (Pamje ekskluzive)

Historiani Marenglen Kasmi ka publikuar në faqen e tij në facebook, sekuenca të një filmi gjerman, të papublikuara më parë, pjesë e ceremonisë e betimit të formacioneve të ushtrisë shqiptare gjatë pushtimit gjerman 1943-1944.

Më poshtë statusi i plotë i historianit Kasmi

Po ndaj me ju një sekuencë filmike të papublikuar deri tani, në të cilin janë fiksuar momente nga ceremonia e betimit të formacioneve të ushtrisë shqiptare gjatë pushtimit gjerman 1943-1944.

Qeveria shqiptare nën pushtimin gjerman, filloi në vjeshtën e vitit 1943 punën për ngritjen e një force të armatosur. Përgjegjësit kryesorë për organizimin dhe ngritjen e ushtrisë shqiptare ishte kryetari i regjencës, Mehdi Frashëri dhe ministri i brendshëm, Xhaferr Deva.

Komandant i kësaj Komande u caktua oficeri i karrierës Preng Previzi, ndërsa detyra e shefit të shtabit ju besua ish-oficerit austriak, Gustav von Myrdacz, tashmë me gradën Gjeneral. Zv/shef shtabi ishte po ashtu një ish-oficer austriak, që si edhe Myrdacz, kishte shërbyer në ushtrinë e Zogut, koloneli Hermann Kirchner.

Misioni i Komandës së Mbrojtjes Kombëtare ishte ngritja dhe organizimi i ushtrisë shqiptare.

Marenglen Kasmi

Marenglen Kasmi

Kësisoj, në fillim të tetorit 1943 kjo komandë ja doli të organizonte pesë batalione ushtarake shqiptare, me një fuqi luftarake prej afro 4.800 burrash. Komanda gjermane i armatosi këto forca me armatim italian. Po ashtu, siç vërehet në film, si uniformat ashtu edhe pajimet luftarake vinin nga arsenalet që gjermanët i kishin kapur ushtrisë italiane pas kapitullimit të saj.

Për politikën gjermane mjaftonte që, këto trupa të luftonin kundër ushtrisë partizane duke u ruajtur atyre krahët. Kësisoj, ushtria gjermane përqendrohej vetëm në ruajtjen e vijës bregdetare, ndaj ndonjë zbarkimi të mundshëm të aleatëve anglo-amerikanë.

Më tej, Gjenerali i Plotëfushqishëm Gjerman në Shqipëri, planifikonte krijimin e katër batalioneve milicë, të vendosur përkatësisht: një batalion në Elbasan, një në Tiranë dhe nga një batalion në Kukës dhe Prizren.

Këto batalione duhej të ishin ekskluzivisht nën kujdesin dhe komandën e divizioneve gjermane. Formalisht këto trupa duhej të ishin nën komandën e Ministrit të Brendshëm shqiptar Deva dhe nuk do të lejoheshin të përdoreshin jashtë Shqipërisë./Dita.al