Bërnabiç thotë se ishte planifikuar vrasja e Vuçiqit, tregon edhe vendin

1 muaj më parë

Bërnabiç thotë se ishte planifikuar vrasja e Vuçiqit, tregon edhe vendin

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç ka konfirmuar për herë të parë se ka pasur një plan për vrasjen e Presidentit Aleksandar Vuçiç. Sipas saj, gjithçka ishte planifikuar të ndodhte gjatë zbulimit të monumentit të Stefan Nemanjës, më 27 janar në Beograd.

Në një intervistë për televizionin Pink, kryeministrja e Serbisë ka deklaruar se ishin formuar struktura paralele në Ministrinë e Brendshme dhe në disa media janë bërë fushata, të cilat janë transmetuar edhe në vendet e rajonit.

Tashmë për rastin në fjalë janë duke u marrë shërbimet kompetente dhe se përgjegjësit nuk do të mund t’i ikin drejtësisë pavarësisht emrit apo funksionit që mbajnë në parti.

‘Mendoj se kanë dashur ta vrasin para, gjatë ose pas inaugurimit të monumentit të Stefan Nemanjës. Nëse dikush ka shkelur ligjin duhet të përgjigjet’, ka deklaruar Bërnabiç.

Sipas saj, gjithçka që ka ndodhur në lidhje me përgjimin e Presidentit të Serbisë në rastin e aferës ‘Jovanjica’ ka qenë tentativë për grusht shteti.

Në janar të këtij viti, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç zbuloi se ka qenë në përgjim prej 1 viti e gjysmë nga shërbimet vendase. Menjëherë pas kësaj deklarate, Prokuroria për Krim të Organizuar nisi hetimet dhe më 15 tetor është arrestuar ish-sekretarja e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Diana Hërkaloviç.