Berisha thotë se Kurti është treguar selektiv, ka dërguar letër vetëm për Selimin për mbrojtje në liri

1 javë më parë

Berisha thotë se Kurti është treguar selektiv, ka dërguar letër vetëm për Selimin për mbrojtje në liri

Ish-kandidati për deputet nga radhët e PDK’së, Hisen Berisha, ka konsideruar se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar në mënyrë selektive lirimin me kusht ndaj ish-eprorëve të UÇK’së që po gjykohen për krime lufte në Hagë.

Berisha këto deklarime i ka bërë në emisionin ‘Pressing’, teksa ka thënë se letra që iu është dërguar gjykatësit së Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, ka qenë selektive.

“Kurti ka dërguar letër vetëm për Rexhep Selimin. Nëse na i shohim në mënyrë selektive, atëherë s’ka nevojë mu angazhu shteti serb. Njerëzit që kanë pretendime të bëhen kryeministra. Sot përballemi me një kryeministër që ka bërë veprim selektiv, me një ministre që ka dhënë këso deklaratash. Në aspektin institucional, duhet të kemi kujdes për trajtimin e tyre”, ka thënë ai.

Në ‘Pressing’ është përmendur edhe deklarata e kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila përpara formimit të Gjykatës Speciale në njërën nga studiot televizive deklaronte se do të ofronte material përbrenda mundësive të saj për këtë gjykatë, kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Kurti, gati tre muaj përpara se ta merrte postin e kryeministrit, i kishte shkruar një letër më 1 dhjetor të vitit të kaluar Guillou-t, në mënyrë që ta lirojë me kusht ish-shefin e Grupit Parlamentar të partisë së tij, Rexhep Selimit.

“Rexhep Selimi si qytetar dhe shtetas i Kosovës ka treguar respektin maksimal dhe ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjet dhe rregullat e Republikës së Kosovës. Çdo pretendim i ngritur lidhur me faktin që ai mund ta paraqes rrezik të ikjes bie ndesh me karakterin e Rexhepit dhe përvojën tonë. Për të gjithë ata që e njohin Rexhepin (përfshirë edhe mua) është e paimagjinueshme që ai mund të kryejë një veprim të tillë”, thuhet në letrën e shkruar nga Kurti.

“Mbetem me shpresë që ju si gjyqtar do të merrni në konsideratë gjithë vlerësimin për karakterin dhe integritetin e Rexhepit kur të gjykoni mbi kërkesën e tij për lirim me kusht”, përfundon letra. /Express/