Berisha kritika LDK-së: Humbja në Podujevë, rezultat i shkarkimit të antarëve të partisë

2 muaj më parë

Berisha kritika LDK-së: Humbja në Podujevë, rezultat i shkarkimit të antarëve të partisë

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Berisha ka shkruar pas rezultatit të zgjedhjeve në Podujevë ku pas 20 vitesh ka humbur LDK-ja.

Berisha në Facebook ka thënë se rezultati në Podujevë ishte treguesi me i mirë që logjika e përjashtimit dhe injorimit të anëtarit të vet, një praktikë e vendosur tash e sa vite në LDK, mund të shkaktoj humbjen e një komune tradicionale nga vetë ai anëtar.

“Është koha e fundit që LDK t’i marrë parasysh mësimet në 15 vjetët e fundit, që kur hoqi dorë nga logjika e inkluzivitetit (gjithëpërfshirjes) në atë të ekskluzivitetit (përjashtimit), që e shndërroi nga partia që fitonte të gjitha zgjedhjet në parti që humbi të gjitha zgjedhjet, nga parti prirese në parti ndjekëse e të varur nga të tjerët. Është kohë përcaktuese që LDK, përvec mobilizimit të potencialit të brendshëm intelektual, të mobilizoj edhe intelektualet e jashtëm me bindje të djathtë, ish kontribues dhe të tjerë, që veten nuk e shohin në partitë tjera, pasi ato dëshmuan se nuk mund të dalin jashtë kornizave të së majtës ideologjike”, ka thënë ai.

“Është kohë vendimtare që LDK, t’i prijë procesit të përmbylljes së shtetësisë, si një forcë që bëri kthesën historike të shkëputjes nga Serbia dhe ideologjia komuniste për t’iu bashkangjitur botës perendimore; pra që LDK-ja të kthehet në gjenezën e vet, si një lëvizje intelektuale, që heqë dorë nga qasjet redukuese të natyrës rajonale, grupore e të përsonalizuara dhe i kthehet politikës së pikënisjes së saj, si një organizim demokratik , që ideal ka interesin kombëtar e shtetëror. LDK ka përgjegjësinë politike e historike, që duke u reformuar e organizuar me shtrirje të gjerë e të thellë t’i jetësojë këto qëllime të larta për shtetin e Kosovës”, tha Berisha.