Bëhuni gati për fundin e BE-së që njohim!

2 muaj më parë

Bëhuni gati për fundin e BE-së që njohim!

Politologu bullgar, Ivan Krastev, thotë se kurrë më parë BE-ja nuk ka qenë në një krizë kaq të thellë. Ai thotë se Bashkimit Evropian i nevojitet më shumë kurajë dhe më pak druajtje gjermane ndaj riskut.

Deutsche Welle: Libri juaj i fundit ka një titull të habitshëm: “Pas Evropës”. A do të thotë kjo se Evropa nuk ekziston më?

Ivan Krastev: Libri im shprehte mospajtimin tim me ata që e marrin të mirëqenë BE-në. Nuk them se BE-ja do të shpërbëhet, por nuk do të jetë ajo BE siç e kemi njohur në këta 20-30 vjet. A është ky një këndvështrim pesimist? Jo, sepse BE-ja ka pësuar një transformim shumë të madh gjatë dekadave të fundit. Argumenti  im drejtohet pikërisht kundër atyre që janë të bindur se asgjë nuk ka ndodhur, se kriza aktuale është e zakonshme dhe se ajo nuk do ta ndryshojë BE-në. Por jo, kriza e ka ndryshuar shumë gjatë dekadave të fundit. Bashkimi Evropian do të qëndrojë dhe kriza aktuale është normale. Jo, është një krizë më e thellë se çdo krizë tjetër që kemi përjetuar deri tani.

Shumë vende në Evropën Lindore janë të zemëruar me BE-në. Përse?

Unë i përkas brezit evropianolindor të vitit 1989. Deri atëherë me “Evropë” ne nënkuptonim Evropën Perëndimore. Pra, utopia e vitit 1989 ishte utopia e normalitetit: Ne donim të ishim normalë dhe të bënim një jetë normale si evropianoperëndimorët. Transformimi që u bë, bazohej në idenë e imitimit të Perëndimit. Disa nga krizat aktuale që shohim në Evropën Lindore janë tani shprehje revolte ndaj  imitimit. Kjo mund të vrojtohet sot edhe në Hungari ose Poloni, ku vihet re një kthim te tradita. Ai ngjason me atë lloj pakënaqësie që vihet re te brezi i dytë i imigrantëve, që fillon të vërë në pyetje identitetin e vet. Kjo po ndodh tani në shumë shtete të Europës Lindore.

Por evropianolindorët janë mësuar me ndryshime politike, apo jo?

Po, kjo është shumë e rëndësishme. Të kujtojmë utopinë e komunizmit, në vitet ’30 e ’40, që u përpoq të ndërtonte një shoqëri që ekzistonte vetëm nëpër libra. Por kjo është pikërisht ajo çka e shpjegon vazhdimësinë. Paradoksalisht, evropianolindorët nisën t’i imitonin shoqëritë perëndimore vetëm pas rënies së komunizmit. Por në këto 30 vite perëndimi ka ndryshuar.

Le të kujtojmë këtu një polak konservator që në vitin 1985 ëndërronte për perëndimin që sipas tij ishte “normal”. Nga perspektiva e tij, “normale” ishte një shoqëri që respektonte kishën, ndryshe, pra, nga shoqëritë komuniste. Por më pas ai zbuloi se ky perëndim, të cilin po e imitonte ai, ishte shumë skeptik ndaj fesë. Pra, në një farë mënyre evropianolindorët u bënë viktima të një ideje skicofrene për “normalen”. Tani pyetja është: Ku ta gjejmë utopinë sot?

Po njerëzit në Evropën Perëndimore, a po kërkojnë edhe ata utopinë?

Ivan Krastev, Centre for Liberal Strategies (Ivan Krastev)Ivan Krastev është një studiues bullgar. Ai është drejtor i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje, dhe permanent fellow në Institutin e Shkencave Humane në Vjenë.

Le të kujtojmë këtu “Gilets James” në Francë. Ata veshën jelekët e verdhë që të binin në sy. Nga ky këndvështrim ka mjaft njerëz që nuk e shohin veten të përfaqësuar në jetën publike. Ata janë të bindur se vendimet që merren në Bruksel nuk reflektojnë problemet e tyre të vërteta. Në një farë mënyre jelekët e verdhë përfaqësojnë të gjithë njerëzit jashtë qyteteve të mëdha që mendojnë se qeveria dhe Komisioni Evropian nuk i kuptojnë. Këta njerëz nuk kanë frikë nga fundi i botës, por nga fundi i muajit. Një grup tjetër përbëhet nga njerëzit, që unë i quaj, “të padëgjuarit”. Ata janë të dukshëm, dhe kryesisht të rinj. Le të marrim si shembull protestuesit kundër ndryshimit të klimës. Mesazhi i tyre është: Ne vërtet që mund të jemi një pakicë, por ne duam të dëgjohemi, sepse kemi nevojë për politika për të ardhmen tonë pas 30 vjetësh, dhe jo vetëm pas tre vjetësh. Pastaj është grupi i tretë, ai i imigrantëve. Ndryshe nga dy grupet e para, këta nuk duan të jenë kaq të dukshëm. Ndërsa jelekë-verdhët vuajnë se askush nuk i sheh, imigrantët vuajnë se gjithkush i ka sytë nga ata, ndërkohë që ata vetë duan vetëm t’i lënë rehat për ca kohë.

Disa evropianë duket se i kanë humbur shpresat krejt. Për shembull, ata që jetojnë në zonën e Brexit-it. 

Unë isha shumë i palumtur që Britania e Madhe u largua nga Bashkimi Evropian, por tani shtroj pyetjen se a do të jetë në gjendje Bashkimi Evropian të mbijetojë në rast se Britania e Madhe dëshiron të kthehet? E kjo nuk është një pyetje retorike, sepse Britania e Madhe që do të dëshirojë të futet në BE nuk do të jetë e njëjta me atë që donte të largohej nga BE-ja. Është një shoqëri shumë e përçarë dhe e pakënaqur. Gjithsesi, asnjë parti e madhe politike në BE nuk është sot për të dalë nga BE-ja. Në këtë kuptim, Brexit-i ka pasur edhe një efekt tjetër, përveç atij destablizues, al ka sjell stabilizimin e Evropës dhe BE-së.

Po Gjermania ? A do të mundej ajo ta drejtonte BE-në?

Në Gjermani kufiri më pak i mbrojtur është ai ndërmjet partive kryesore të establishmentit dhe partive ekstremiste.  Njerëzit po lëvizin në të gjitha drejtimet,  jo vetëm nga partitë e establishmentit në partitë populiste, por edhe anasjelltas. Ky nivel konfuzioni, kjo frikë për të ardhmen pasqyrohet njëherazi edhe në mentalitetin e një shoqërie të vjetruar. Mënyra se si Gjermania e sheh botën, të kujton këndvështrimin e pensionistëve dhe fondeve të pensioneve. Gjermania duket se është shumë e qendrueshme dhe e suksesshme, por ajo është edhe konservatore ndaj riskut. Ta shohim nëse ajo do të mund të drejtojë BE-në me këtë qëndrim kaq të druajtur ndaj riskut./DW/

Ivan Krastev është një studiues bullgar. Ai është drejtor i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje, dhe permanent fellow në Institutin e Shkencave Humane në Vjenë.