BE: Shqipëria dhe Maqedonia i kryen detyrat, vendimi merret në 2020-n

1 muaj më parë

BE: Shqipëria dhe Maqedonia i kryen detyrat, vendimi merret në 2020-n

Dështimi i hapjes së negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut e ka rritur skepticizmin te shtetet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë anëtarësimin në BE, duke përshirë këtu edhe Kosovën.

Mirëpo zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka deklaruar se integrimi i Ballkanit Perëndimor do të jetë prioritet i BE-së dhe i shteteve anëtare të saj.

“Angazhimi ynë ndaj perspektivës së BE-së për Ballkanin Perëndimor nuk do të ndryshojë. Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor mbetet një politikë e rëndësishme strategjike, që është në interes të të dyja palëve. Prandaj për këtë arsye BE-ja do t’i rikthehet kësaj çështjeje para Samitit të liderëve të BE-së, që do të mbahet në Zagreb në maj të vitit 2020”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Kocijançiq e ka pohuar se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kishin plotësuar të gjitha kriteret e dhëna nga BE-ja, mirëpo sipas saj shtetet anëtare nuk arritën të unifikohen sa i përket hapjes së bisedimeve për këto dy vende.

Ajo ka theksuar se BE-ja do të vazhdojë të përkrahë fuqishëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.