Basha kërkon zgjedhje të parakohshme, Rama i thotë jo

4 javë më parë

Basha kërkon zgjedhje të parakohshme, Rama i thotë jo

Kryeministri Edi Rama nuk do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi nuk ndihet përgjegjës për vendimin negativ të BE. Kryesocialisti ka refuzuar thirrjen e kreut të PD-së, Lulzim Basha, për të ndjekur shembullin e Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi, shefi i mazhorancës i kujton opozitës që do të përmbushë kushtet e Bundestagut, me ose pa praninë e tyre në komisionin e reformës zgjedhore.

Me 18 tetor Brukseli refuzoi Edi Ramën dhe jo Shqipërinë. Me këtë argument Partia Demokratike kërkon që vendi ynë duhet të shkojë në zgjedhje të prakohshme.

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, këshillon kryeministrin Edi Rama që të ndjekë shembullin e homologut të Maqedonisë së Veriut dhe t’i japë mandatin qytetarëve shqiptarë për ta çuar vendin drejt BE.

Basha: Është koha që qeveria te ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar. Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur.

Por edhe pas konsultimeve me anëtarët e Kryesisë së PS-së, kryeministri Edi Rama nuk e ka ndërmend të ndalojë punën e qeverisë së tij, por përkundrazi do të vijojë takimet lobuese me vendet skeptike, siç është një takim edhe me presidentin Francës, Emmanuel Macron.

Rama: Siç e shikoni dielli ka dalë përsëri, dita ka filluar përsëri dhe rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe ekuivok. Duam të bëjmë Shqipërinë europiane për shqiptarët, për fëmijët tanë dhe këtë do të bëjmë çdo ditë.

Kryesocialisti Rama është i vendosur që ta miratojë reformën zgjedhore me implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR deri në fund të dhjetorit me ose pa PD.

Rama: Është në të drejtën e tyre të ulen ose jo në atë karrige. Por ne nuk do të presim dhe brenda këtij viti do të miratojmë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Mandati i Komisionit të Reformës Zgjedhore përfundon me 28 nëntor, por PS ka propozuar dy faza.

Në të parën rekomandimet e ODIHR dhe gjatë 2020 të diskutohet edhe ndryshimi i mundshëm i sistemit si dhe vota e emigrantëve./oranews