Bankat në Kosovë presin inflacion më të ulët në vitin 2020

1 muaj më parë

Bankat në Kosovë presin inflacion më të ulët në vitin 2020

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), bazuar në anketën e realizuar në tetor të vitit 2019, vlerëson se gjitha bankat presin që inflacioni do të jetë më i ulët në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019.

“Kur bëhet fjalë për nivelin e inflacionit, mesatarisht bankat presin që inflacioni nga 2.6% sa ishte në vitin 2019, do të jetë 2.1% në vitin 2020”, thuhet në rezultatet e Anketës së Kreditimit Bankar dhe Pritjeve për inflacionin.

Në anketën e realizuar me bankat komerciale në tremujorin e kaluar, pritjet e bankave kanë qenë se niveli i inflacionit do të jetë rreth 2.5 përqind në tremujorin e tretë dhe 2.6 përqind në tremujorin e katërt 2019. Të dhënat aktuale për tremujorin e tretë sugjerojnë se niveli i inflacionit në këtë tremujor ishte 2.6 përqind ndërsa për tremujorin e katërt, në anketën e fundit të realizuar me bankat komerciale, pritjet e bankave mbeten të pandryshuara. Bankat kanë pritje të ngjashme rreth zhvillimit të shkallës së inflacionit në tremujorin e katërt. Dy banka presin që inflacioni të sillet ndërmjet 3.0 përqind dhe 4.0 përqind, ndërsa bankat tjera presin që inflacioni të jetë mes 2.0 përqind dhe 3.0 përqind. Siç ilustrohet nga figura 8, shpërndarjet e raportuara të probabilitetit tregojnë një pasiguri relativisht të ulët në lidhje me rezultatin e ardhshëm të inflacionit, pasi shpërndarja e probabilitetit të bankave është e përqendruar në inflacionin e pritur.

“Mesatarisht, probabiliteti që niveli i inflacionit do të jetë në intervalin 2.0 deri në 2.4 është 34.4 përqind ,ndërsa probabiliteti që niveli i inflacionit do të jetë në intervalin 2.5 deri në 2.9 është 21.3 përqind. Në komentet e tyre cilësore, bankat kanë cituar disa faktorë të mundshëm për inflacionin më të lartë në vitin 2019:Taksa në importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina;Prit ja që aktiviteti ekonomik në vitin 2019 do të jetë më i lartë se një vit më parë; Prodhim i ulët në Kosovë dhe varësia e lartë nga importet; Zhvillimet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet tregtare midis SHBA-së dhe Kinës”, raporton RTK.

Pritjet e bankave lidhur me dinamikat në shkallën e inflacionit kanë qenë të sakta për vitin 2019, pasi që të dhënat e publikuara në ndërkohë nga ASK-ja lidhur me inflacionin aktual kanë shfaqur vlera të ngjashme me pritjet e bankave. Edhe për vitin 2020, pritjet e bankave janë në përputhje me parashikimet e BQK-së, të cilat sugjerojnë nivel më të ulët të inflacionit krahasuar me vitin paraprak.