Bajrami: Fokusi të jetë te rimëkëmbja ekonomike, ka kohë për luftë politike pas pandemisë

3 muaj më parë

Bajrami: Fokusi të jetë te rimëkëmbja ekonomike, ka kohë për luftë politike pas pandemisë

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, edhe një herë ka bërë thirrje që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos shtyjnë votimin për rishikimin e buxhetit e marrëveshjet ndërkombëtare.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se i gjithë fokusi duhet të jetë në rimëkëmbjen ekonomike.

Duke komentuar edhe akuzat ndaj saj se përse nuk kishte ndërhyrë kur deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj, iu vërsul të premten në mbrëmje kryeparlamentares Vjosa Osmani, Bajrami ka thënë se ajo është e fokusuar vetëm te adresimi i problemeve ekonomike.

“E vetmja përplasje, e vetmja brengë, i vetmi angazhim i imi në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës është dhe do të jetë në funksion të rimëkëmbjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve. Jam dakord plotësisht me reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku bëhet thirrje të gjithëve që mos të përdoret Parlamenti për sulme personale. Kushdo që ka pritur që unë të hyj në mes të deputetëve kur ata fjalosen e acarohen ka pasur pritje të gabuara. Situata të tilla janë të papranueshme dhe duhet të adresohen aty ku e kanë vendin e jo në adresën time. Jam Ministre e Financave dhe i gjithë fokusi im është te adresimi i problemeve ekonomike të qytetarëve, të bizneseve, të atyre që po mbesin për çdo ditë pa punë shkaku i pandemisë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Bajrami ka thënë se politikanët do të kenë mjaft “kohë për luftë politike dhe qërim të hesapeve personale kur shteti të rimëkëmbet nga pandemia”.

“Qytetarët po humbin për çdo ditë me secilën shtyrje që po u bëhet punëve në Parlament. Prej marrëveshjeve ndërkombëtare e deri te shtyrja e rishikimit të Buxhetit. T’i lëmë pak inatet personale dhe të fokusohemi në rimëkëmbjen ekonomike. Do të kemi kohë për luftë politike dhe qërim të hesapeve personale kur shteti të rimëkëmbet nga pandemia. Deri atëherë ruajeni shëndetin!”, ka përfunduar ajo.

Bajrami të premten në Kuvend kishte dhënë “arsyet përse duhet të kalojë rishikimi i buxhetit për vitin 2020”. Sipas saj, nëse kjo s’bëhet shteti s’do të mund t’ua ndajë mjetet e premtuara qytetarëve nga Pakoja Emergjente Fiskale për shkak të goditjes nga pandemia.

Teksa debati po shkonte drejt fundit, seanca u ndërpre pasi deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj, iu vërsul kryeparlamentares Osmani.