Babai i Silvës nxit spekulimet: Ai e do shumë Serinë A

2 muaj më parë

Babai i Silvës nxit spekulimet: Ai e do shumë Serinë A

Babai i David Silvës e ka konfirmuar se futbollisti është gati të largohet nga Manchester City dhe se Lazio mbetet klubi favorit për transferimin e tij, duke thënë se ai e do shumë Serinë A dhe mund të luajë atje deri kur t’i mbushë 40 vjeç.

Lazio raportohet t’ia ketë bërë një ofertë tejet tunduese mesfushorit spanjoll David Silva, duke i ofruar pagë të lartë, shtëpi dhe jaht luksoz, si dhe vozitës personal, transmeton Gazeta Express.

Gazeta të shumta italiane kanë raportuar se tashmë dy palët janë shumë afër kompletimit të marrëveshjes që do ta çonte Silvan në Lazio, pasi karriera e tij me Manchester Cityn mbyllet në fund të këtij sezoni.

“David më ka thënë që një kohë të gjatë se dëshironte të largohej nga Manchester City në fund të epokës njëdekadëshe”, tha Fernando Silva për djalin e tij, i cili ka luajtur që dhjetë sezone në Etihad.

“Unë dua që ai të qëndrojë edhe më tutje në Evropë. Unë mund ta konfirmoj se ai e do shumë Serinë A dhe do t’i pëlqente me të vërtetë shumë të luante në Itali. Ai më ka thënë se do të luante këtu deri kur t’i mbushë 40 vjeç”.

“Për momentin ka shumë oferta dhe ai do të duhet të marrë vendim, por mua do të më pëlqente shumë nëse ai do të nënshkruante për Lazion sepse edhe pse Roma është larg, kjo do të ishte një mundësi e madhe për të”.

“Unë e di se ai s’ka shumë gjasa të kthehet në Spanjë, pasi që gjithmonë më thotë ta heq nga mendja idenë se ai do të kthehet në Valencia”.

Sipas lalazionsiamonoi, presidenti i Lazios, Claudio Lotito, drekoi me vëllain e David Silvës, i cili e vizitoi edhe kampin stërvitor të Lazios.

Paga e Silvës në Lazio raportohet se do të jetë tre milionë euro në vit, mirëpo aty nuk janë të përfshira bonuset e ndryshme që do të jepeshin në bazë të paraqitjeve të spanjollit. /Express