Azemi s’e lut Thaçin ta dekretojë Ligjin për Buxhetin, vonesat i quan “pafytyrësi”

2 muaj më parë

Azemi s’e lut Thaçin ta dekretojë Ligjin për Buxhetin, vonesat i quan “pafytyrësi”

Masat e Pakos Emergjente Fiskale nuk janë zbatuar në tërësi. Madje ka edhe një numër të konsiderueshëm të punëtorëve të cilët nuk kanë marr as pagën e parë prej 170 euro.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një intervistë për Ekonomia Online e ka quajtur “pafytyrësi” vonimin e ekzekutimit të pagesave.

Madje, Azemi nuk po e sheh të arsyeshme që t’i bëjë thirrje presidentit të vendit për dekretimin e Ligjit për Buxhetin.

Azemi thotë se janë keqpërdorur rreth 20 milionë euro të Pakos së parë.

“Gjithherë prognozat tona kanë dal të qarta sepse zhagitja e Pakos Emergjentes që është dashtë të kryhet në fund të majit, ne tash po shkojmë në fund të gushtit dhe kjo është një neglizhencë, ose është një ‘pafytyrësi’ e njerëzve kompetent sepse një kohë bukur të gjatë Parlamenti i Kosovës e zgjati mos rishikimin e buxhetit”.

“Sikur të bëhet ndarja racionale e këtij buxheti për punëtorët e sektorit privat nuk kishte me pas nevojë që ne të kërkojmë që të vazhdohet vazhdimi i këtyre pagave, sepse janë keqpërdorur mbi 20 milionë euro në pakon e parë”.

I pari i punëtorëve ka folur edhe për financimin e pagave për punëtorët teknik në QKUK dhe QKMF.

Ai ka thënë se duke par rrezikshmërinë e këtyre punëtorëve, duhet të simulohen në aspekt monetar që të mos kenë edhe ngarkesë psikike, raporton EO.

“Gjendja e këtyre punëtorëve, rrezikshmëria e përditshme ndoshta edhe në çdo sekondë na është dashtë që të bëjmë kërkesë që këta punëtorë të simulohen për rrezikshmërinë dhe pse asnjëherë mjetet monetare nuk e mbulojnë shëndetin e punëtorëve, por për këta punëtorë mendojmë se janë në frontin e parë të njerëzve të infektuar dhe mendojmë se këta janë gjithherë prezent aty ku njerëzit janë të infektuar dhe patjetër që këta punëtorë duhet të simulohen që së paku në aspekt monetar të mos kenë ngarkesë psikike”.

“Në mendojmë që është një vlerë e njerëzimit që njerëzit së paku në baza njerëzore të mos i ndajmë përderisa ekziston një zjarr i rrezikshmërisë për një njeri atëherë ai zjarr është i njëjtë edhe për njeriun tjetër”.

“Përderisa për mjekun është rrezikshmëri atëherë rreziku i njëjtë është edhe për punëtorin e sektorit privat ose për ata teknik dhe pse të dallohen ata që kanë ngritje ideore me ata të cilët për kah shkollimi janë më të ulët”, ka thënë Azemi për EO.