“Avullohen” biletat për ndeshjen me Malin e Zi, Federata fton për hetime

2 javë më parë

“Avullohen” biletat për ndeshjen me Malin e Zi, Federata fton për hetime

“Mjaft pritët në rend, siguro biletën në mënyrë efikase për të gjitha llojet e organizimeve”.

Ky slogan bie në sy në momentin e parë që secili tifoz futbolli futet në ueb-faqen kryesore për të blerë bileta për ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës, raporton KTV.

Edhe pse tifozëve, nuk iu duhet të presin në rend, biletat në “tiks.app’’ është e vështirë të blihen.

Por, e njëjta nuk i ndodhi edhe Fation Ibishit, tifoz që bleu bileta përmes kësaj ueb-faqeje, ani pse biletat që i bleu, ishin për një ndeshje krejt tjetër.

Megjithëkëtë, kur Ibishi bleu biletën për ndeshjen me Malin e Zi, biletat për miqësoren me Gjibraltarin, nuk ishin fare në shitje në ueb-faqe.

Ibishi tha se kjo situatë është e papranueshme dhe për këtë tha se do t’i ndjekë edhe rrugët ligjore.

Ndërsa, zyrtarë të ueb-faqes ‘’tiks.app’’ përmes telefonit kanë thënë se një rast si i Fation Ibishit, teknikisht nuk mund të ndodhë.

Bileta për ndeshjet e Kosovës vazhdojnë të shiten ende në tregun e zi përmes ueb-faqeve të ndryshme me çmime më të shtrenjta sesa ato realet.

Ky problem për qytetarët është shqetësuese dhe po cilësohet si vjedhje.

Arianit Ahmeti, zyrtar i FFK-së, nëpërmjet telefonit ka thënë se interesimi i madh bënë që shpesh të mos mbeten bileta.

Derisa për problematikën e shitjes së tyre në tregun e zi, tha se FFK-ja kërkon që të hetohen këto raste.

Kosova në tetor luan dy ndeshje, atë miqësore me Gjibraltarin më 10 tetor, derisa katër ditë më vonë e pret Malin e Zi në “Fadil Vokrri’’.