Avdijaj synon që një ditë të kthehet te Schalke

1 muaj më parë

Avdijaj synon që një ditë të kthehet te Schalke

Sulmuesi kosovar, Donis Avdijaj, ka disa muaj që është pa klub dhe ende nuk ka vendosur se ku do të luajë në edicionin 2020/21. Aktualisht karriera e njërit prej lojtarëve që para disa vjetësh kishte tërhequr vëmendje të madhe ka pësuar një rënie drastike. 24-vjeçari po përpiqet që sërish të kthehet dhe po punon maksimalisht në këtë aspekt.

Megjithatë, edhe nëse rikthehet Avdijaj këtë duhet ta bëjë nga kategoritë e ulëta të futbollit të Gjermanisë pasi synimi i tij është që të mbetet në këtë vend. Avdijaj fillimisht ishte vlerësuar si njëri prej talenteve të mëdha në Gjermani dhe kjo ishte konfirmuar kur Schalke ia kishte vendosur një klauzolë lirimi në vlerë prej 49 milionë eurosh me vetëm 17 vjet. Ndërsa vlera e tij aktuale është nën një milion euro dhe Avdijaj synon që një ditë të rikthehet te Schalke.

Ai prej klubit gjerman u largua përfundimisht në verën e vitit 2018 dhe që nga ajo kohë ka pasur periudha të shkurtra nëpër klube të ndryshme: Willem II, Trabzonspor dhe Hearts. Ai pranon se gabimet jashtë fushe i kushtuan shumë dhe thotë se është dashur të paktën të mbetet edhe një edicion te Willem II, por u përjashtua nga ekipi holandez për shkak të thyerjes së rregullave disiplinore. Ai te ekipi holandez qëndroi vetëm gjashtë muaj për të vazhduar për gjashtë muaj edhe te Trabzonspori e Heartsi.

“Mendoj se do të kishte qenë më mirë për mua që të qëndroja në Holandë. Eredivisie është ligë cilësore dhe e ngjashme me atë të Gjermanisë. Jam ndier mirë dhe është dashur të mbetesha më shumë, por mendoj se nuk me kanë këshilluar mirë. Po të kisha mbetur aty, besoj se tashmë do të isha kthyer në Gjermani, por tash më mbetet të punoj shumë dhe ta dëshmoj veten që një ditë të kthehem aty, pse jo te Schalke”, është shprehur Avdijaj. “Tashmë i kam lënë pas vetes gjërat negative dhe mendoj se kam mësuar shumë prej gabimeve që i kam bërë”.

Avdijaj insiston se tashmë ka ndryshuar shumë dhe nuk është më ai që ishte. Thotë se po stërvitet shumë pasi dëshiron të jetë në formë të mirë për edicionin e ri, ndonëse ende nuk ka gjetur klub. Ofertat nuk i mungojnë nga Arabia Saudite, por synimi i tij është që të mbetet në Gjermani ku tashmë ka marrë një ofertë nga ekipi Turkgucu Muenchen që bën gara në kategorinë e tretë.

“Unë kam ndryshuar tashmë, pasi më përpara jam mbështetur në aftësitë e mia dhe nuk kam kërkuar përkrahje profesionale. Jam i gatshëm për të dëshmuar veten dhe më duhet besimi i klubit për t’u rikthyer fuqishëm. Jam maksimalisht i motivuar dhe ofertat nuk më mungojnë, ndonëse dua të qëndroj në Gjermani”, shtoi ai. “Schalkes i kam shumë borxh dhe mbetet ekipi im i zemrës. Natyrisht, që synoj të kthehem një ditë të luaj për këtë skuadër”.