Autopsia për të vdekurit në QKUK, analizat mund të dërgohen jashtë vendit

3 vite më parë

Autopsia për të vdekurit në QKUK, analizat mund të dërgohen jashtë vendit

Pas përfundimit të autopsisë së tre pacientëve që ndërruan jetë në sallat e operacionit në QKUK, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë për Express se të tre trupat e të vdekurve tashmë janë kthyer për rivarrosje te familjarët e tyre.

Ai ka sqaruar se rastet janë punuar me një komision të gjerë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore sikurse edhe nën vëzhgimin e Prokurorisë. Ndërkaq nuk përjashtohet edhe mundësia e dërgimit të analizave jashtë vendit.

“Dje e kemi bërë zhvarrimin e të njëjtëve, për tre raste që jemi njoftuar nga prokuroria kurse sot të treve u është bërë analiza e autopsisë dhe të njëjtit janë kthyer për rivarrosje te familjarët e tyre. Rastet janë punuar me një komision të gjerë nga instituti i mjekësisë ligjore, ekspertë dhe të tjerë, si dhe nën vëzhgimin e Prokurorisë së Shtetit. Normal edhe për shkak të disa lëshimeve që kanë ndodhur, analizat kërkojnë kohë dhe duhet kohë që të vijmë deri te rezultati”, është shprehur Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se kufomat kanë qenë relativisht të kalbëzuara dhe për këtë atyre u duhet kohë që të vijnë deri te rezultati përfundimtar. Gërxhaliu tha se sa më shumë që të kalojë kohë që nga vdekja e kufomës është aq më keq për ta.

Pyetur se si kanë reaguar familjarët pas vendimit të Prokurorisë për zhvarrosje Gërxhaliu bëri të ditur se te rasti i të dyshuarit të Vitisë, familjarët kanë hezituar, por sqaron se të njëjtët janë bindur dhe se ky ka qenë urdhri i prokurorisë që ata duhet zhvarrosur.

“Këto raste duhet t’i kuptojmë që nuk është e lehtë edhe për familjarët t’i çrregullojmë me një informatë të tillë”, ka përfunduar ai.