Audi sjell versionin e ri të E-Tronit

3 javë më parë

Audi sjell versionin e ri të E-Tronit

Kompania prestigjioze gjermane e veturave, Audi, njofton se në tremujorin e katërt të këtij viti do të fillojë të shesë versionin më të ri të SUV-it të saj elektrik, E-Tron.

Fjala është për Audi E-Tron 50 Quattro, i cili në gamë do të zë vendin nën versionin më të fuqishëm E-Tron 55 Quattro, transmeton Koha.net.

Audi E-Tron 50 Quattro do të vijë me dy motorë elektrikë në total me kapacitet prej 308 kuajfuqi, baterinë prej 71 kWh, ku 80 për qind e kapacitetit të saj mund të mbushet për vetëm 30 minuta, si dhe me vetëm një mbushje të baterisë ky SUV i ri mund të kalojë deri në 300 kilometra.

Gjithashtu, E-Tron 50 Quattro thuhet se shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë mund ta arrijë për rreth 7 sekonda dhe atë maksimale deri në 190 km/h.

Sa për krahasim, versioni më i fuqishëm E-Tron 55 Quattro ka kapacitet prej 402 kuajfuqi, me vetëm një mbushje të baterisë mund të kalojë deri 381 km, si dhe shpejtësinë nga 0 deri në 100 km/h mund ta arrijë për më pak se 6 sekonda dhe atë maksimale deri në 200 km/h.

E-Tron 50 Quattro, po ashtu, thuhet se do të prodhohet në fabrikën në Bruksel dhe çmimi i tij në tregun gjerman sipas vlerësimeve aktuale do të jetë më pak se 70.000 euro.