ATK: Qarkullimi financiar i bizneseve ka rënë për 833 milionë euro, shkak pandemia

2 muaj më parë

ATK: Qarkullimi financiar i bizneseve ka rënë për 833 milionë euro, shkak pandemia

Administrata Tatimore e Kosovës ka prezantuar sot aktivitetet e zhvilluara dhe rezultatet e arritura të ATK-së për gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj administrate, Ilir Murtezaj, ka thënë se pjesa e parë e këtij viti ishte me shumë sfida, si në fushën e shëndetësisë, ashtu edhe në ekonomi.

Ai tha se të hyrat nga tatimet janar-qershor të këtij viti janë 215.9 milionë euro, ndërsa kontributet pensionale 83.1 milionë euro.

Ndërsa në këtë periudhë të pandemisë, ka një rënie të të hyrave përreth 23 milionë euro.

“Efektet negative të pandemisë janë edhe në qarkullimin financiar të bizneseve, ku 833 milionë euro, ose 22 përqind ka rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Si rezultat i rrethanave të krijuara pas 13 marsit, kur u paraqiten rastet e para me COVID-19, ATK ishte në mbështetje të plotë të Qeverisë, bizneseve dhe punëtorëve”, deklaroi Murtezaj.

Sa i përket numrit të bizneseve të mbyllura dhe numrit të punëtorëve që kanë humbur vendet e punës në pandemi, ai tha se ende nuk ka të dhëna zyrtare për këto statistika. Ndërsa, denoncime nga qytetarët për rritje të çmimeve nga bizneset në kohë pandemie, ATK njoftoi se ka pranuar mbi 11 mijë denoncime, katërmijë prej tyre janë vetëm për ngritje të çmimeve, për të cilat ATK thotë se ka marrë masa.

I pari i ATK-së po ashtu ka thënë se në këtë periudhë është bërë edhe parandalimi dhe luftimi i ekonomisë jo-formale.

Me planifikim të buxhetit të rishikuar, është paraparë që ATK-ja të inkasojë vetëm 2,5 përqind më pak me planin vjetor, që sipas Murtezajt, është dashur që parashikimi të jetë edhe më i ulët për shkak të aktivitetit të bizneseve në pandemi.