Atalanta luan për Bergamon në turneun final të “Championsit”

1 muaj më parë

Atalanta luan për Bergamon në turneun final të “Championsit”

Pasi Juventusi dhe Napoli janë eliminuar javën e kaluar, një klub provincial nga rajoni në zemër të përhapjes së pandemisë COVID-19 në Itali do të udhëheqë shpresat e Series A në Ligën e Kampionëve këtë stinor, shkruan agjencia Reuters.

Atalanta, nga qyteti Bergamo, me popullatë rreth 120 mijë banorë, do të përballet me PSG-në të mërkurën në një ndeshje që fillon mini-turneun “Final Eight” në Lisbonë.

Është një moment prekës. Në kulmin e pandemisë, spitalet në Bergamo ishin të mbushura me pacientë të infektuar, morgjet nuk ishin në gjendje të përballonin numrin e madh të vdekurve, konvojet e kamionëve të ushtrisë bartnin kufomat, që u bë një simbol i frikshëm i pandemisë botërore.

“Ne do të luajmë me Bergamon dhe për Bergamon, kjo do të në jap forcë shtesë”, ka thënë mesfushori Remo Freuler për “Eco di Bergamo”. “Ky rajon ka vuajtur shumë, ne e dimë këtë mjaft mirë si skuadër dhe do të na jap motiv shtesë në fushë. Kështu ishte rasti në Serie A dhe kështu do të jetë edhe në Lisbonë”.

Në shumë mënyra, Atlanta dhe Paris Saint-Germain janë në dy pole të ndryshme. Klubi i Series A operon me buxhet relativisht të vogël, trajneri Gian Piero Gasperini, ka formuar skuadër të suksesshme duke nxjerrë më të mirën nga lojtarë që nuk janë dëshmuar te klubet tjera.

Shuma e shpenzuar për transferime në stinorin 2019-20, sipas Transfermarkt, ishte 57 milionë euro.

Paris Saint-Germain, në pronë të pronarëve nga Katari, shpenzon para të mëdha në lojtarë. Transferoi Neymarin për shifër rekorde 222 milionë euro në vitin 2017.

Atalanta është shumë krenare për lidhjen lokale dhe presidenti i klubit Antonio Percassi, ka dërguar fanella kopje te çdo fëmijë i lindur në spitalet në Bergamo.

Atalanta ka rënë tri herë nga elita në këtë shekull, por fati ka ndryshuar në mënyrë dramatike me ardhjen e Gasperinit në vitin 2016.

Trajneri 62-vjeçar vlerësohet si një prej trajnerëve më të shquar taktik në Itali dhe thotë se imiton tjerët dhe përdor pak nga të gjitha.

Pas përfundimit në vend të katërt në stinorin 2016-17 në Serie A, ishte parashikuar se skuadra do të ketë fatin e njëjtë e atyre të mesit të tabelës, që tregojnë një stinor të mirë dhe më pas bien pas humbjes së lojtarëve më të mirë.

Por, Gasperini e ka dërguar skuadrën në nivelin më të lartë.