Astrit Selmani i gatshëm të luajë për Kosovën

1 muaj më parë

Astrit Selmani i gatshëm të luajë për Kosovën

Sulmuesi Astrit Selmani është i gatshëm të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës. Sulmuesi 23-vjeçar i skuadrës elitare të Suedisë, Varbergs, ka thënë të mërkurën për KOHËN se është plotësisht i gatshëm të takohet me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe stafin e Përfaqësueses për t’i ndjekur të gjitha procedurat që të pajiset me pasaportën kosovare. Selmani thotë se ende nuk është kontaktuar prej askujt, por shton se është në pritje të kontaktohet.

“Kam dëgjuar për interesimin e Kosovës, por nuk jam kontaktuar nga askush. Jam i hapur të bisedoj. Jam i gatshëm të luaj për Kosovën. Nuk kam ende pasaportë të Kosovës, por jam gati për t’i ndjekur procedurat nëse më kërkohet një gjë e tillë”, ka thënë Selmani për KOHËN.

Sulmuesi i skuadrës elitare të Suedisë, Varbergs, është i lindur në Malmo të Suedisë, por me rrënjë është nga Mitrovica. Ai thotë se deri më tash nuk ka lëshuar asnjë ndeshje të Përfaqësueses së Kosovës pa e shikuar.

“Të gjitha ndeshjet i kam shikuar, por asnjë prej lojtarëve nuk e njoh personalisht. Nuk kam kontakt, por të gjithë i njoh me emra. Kosova ka lojtarë shumë të mirë. Në Kosovë vij çdo vit. Kam familjarët dhe sa herë që vij kaloj shumë mirë”, është shprehur Selmani.

Për interesimin e Kosovës për Selmanin kanë shkruar edhe mediumet në Suedi të mërkurën. Menaxheri i “Dardanëve”, Bajram Shala, ka theksuar se është duke u ndjekur zhvillimi i Selmanit tek ekipi i tij derisa kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka theksuar se do të kenë së shpejti një takim me të.

“Pas ndeshjeve të muajit nëntor ne do të kërkojmë takim me Astrit Selmanin. Por, jo vetëm me të. Do të kemi takime edhe me lojtarët si Kemal Ademi, Orges Bunjaku, Bastien Toma, Andi Zeqiri dhe disa të tjerë”, ka thënë Ademi për KOHËN.

Selmani ka treguar paraqitje të mira në kampionatin elitar të Suedisë – Allsvenskan. Ka shënuar nëntë gola dhe ka kontribuuar me pesë asistime në 19 ndeshje këtë edicion. Në katër ndeshje të Kupës ka shënuar dy gola dhe ka asistuar në dy të tjera. “Kam pritur një ecuri të mirë, sepse jam përgatitur maksimalisht për të pasur një sezon të suksesshëm. Unë e di çka duhet të bëj kur luaj. Kështu që, nuk më befason aspak forma e mirë që po e tregoj”, ka theksuar Selmani.